Nga buxheti i shtetit shpenzohen çdo vit rreth 100 mln dollarë për rimbursimin e ilaçeve të 600 mijë personave të pasiguruar në Shqipëri.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë llogaridhënies publike në qytetin e Lushnjes, duke theksuar se rimbursimi i vjen në ndihmë personave më të varfër të shoqërisë të cilët nuk janë të detyruar që të blejnë ilaçe.

“Ne paguajmë nga buxheti i shteti rimbursimin e ilaçeve për 600 mijë njerëz të pasiguruar të cilët deri dje nuk kishte shans që të kishin një ilaç të rimbursuar dhe nëse ju binte sëmundja në shtëpi duhet të shkonin ti blinin ilaçet duke qenë pjesa më e varfër e shoqërisë.

Janë të gjithë të përfshirë në skemën e rimbursimit, sot dëgjojmë raste ilaçi këtu, ilaçi atje, patjetër që ka nevojë për më shumë, patjetër por mos harrojmë që deri dje 600 mijë njerëz nuk kishin shans që të merrnin rimbursim dhe ka shkuar rimbursimi i ilaçeve nga buxheti i shtetit mbi 100 mln dollarë, që shteti paguan pasi ato ilaçe nuk merren falas, ato blihen. Shteti i paguan edhe pse qytetarit i rimbursohen.

Këto dhe shumë të tjera janë fakte të një strukturimi mes marrëdhënieve të qeverisë dhe qytetarëve për lehtësimin e barrës mbi qytetarët” përfundoi Kryeministri./j.j