Në vlerën e 2.3 milionëve euro u nënshkrua sot marrëveshja grant, për përmirësimin e rrjetit të ngrohtores qendrore në Prishtinë, ndërmjet ministrisë së Financave dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), ku donatore është Qeveria e Luksemburgut, ndërsa përfituese është NP “Termokos” Sh.A.

Në prezencën të perfaqësueses së Ambasadës së Luksemburgut Anne Dostert, marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave Bedri Hamza, drejtori i Zyrës së KfW-së për Kosovë Rene Escheman dhe drejtori i NP “Termokos” Sh.A. Naser Canolli.

Ministri i Financave Hamza, vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes së grantit me KfW-në për financimin e zgjerimit të rrjetit të Termokosit në Prishtinë, gjitashtu theksoi se këto mjete janë donacion nga Qeveria e Luksemburgut si mbështetje direkte në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Prishtinës dhe Kosovës.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Luksemburgut Anne Dostert, duke falënderuar ministrin Bedri Hamza, Drejtorin e KfW-së dhe Drejtorin e NP “Termokos” Sh.A, theksoi se është shumë e kënaqur që të jetë në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje për të filluar një fazë të re të bashkëpunimit me qëllim të përmirësimit të sistemit të ngrohjes në Prishtinë.

“Ne kemi filluar angazhimin tonë së bashku me KfW-në për të mbështetur projektin e ngrohjes qendrore në Prishtinë në vitin 2014, dhe më kujtohet që në fillim kur kemi filluar bashkëpunimin me Termokosin, furnizimi ka qenë vetëm 6 orë brenda ditës dhe me një numër shumë të kufizuar. Ndërkohë lirimi i gazrave ka qenë shumë i madh dhe të gjithë ju e mbani në mend tymin që dilte nga oxhaqet e Termokosit”, shtoi Dostert.

Me nënshkrimin e marrëveshjes sot dhe me ratifikimin e saj, Ministria Financave do të përmbyll financimin për fazën e dytë të Investimeve në Termokos, që ka për qëllim ofrimin e kyçjes së shumë qytetarëve të Prishtinës në ngrohje me furnizim të qëndrueshëm. Faza e dytë e investimeve në Termokos do të kap shumën 23.3 milionë euro.

Vlen të theksohet se kompania për herë të parë është në gjendje që një pjesë ta financojë vetë me shumën 500,000 euro e cila do të mbështetet nga Komuna e Prishtinës me 500,000 euro tjera. /KosovaPress/j.j