Dy motra italiane, Natalia dhe Irina Strozzi thonë se, ato janë pasardhëse të gruas që qëndron pas Mona Lisës të Leonardo da Vincit.

“Emri i saj i vërtetë ishte Lisa Gherardini del Giocondo, bashkëshortja e biznesmenit Francesco del Giocondo”, thonë dy motrat.

Familja Strozzi ka qenë një familje e hershme fisnikësh në Firence, me po aq fuqi e emër sa edhe familja Medicis.

Pretendimi i dy motrave mbështetet nga një profesor i historisë së artit në Universitetin e Firences, Rab Hatfield. Sipas tij, prova që e vërteton këtë është zbuluar 20 vite më parë, në një librari në Gjermani.

Atje u gjet një libër që mbante një shënim që i referohej Da Vincit, si dhe një pikturë e Lisa Gherardini del Giocondos. Piktura që Da Vinci e realizoi në vitin 1503 ndodhet tani në Muzeun e Luvrit në Paris.

Motrat Strozzi thonë se ato e kanë vizituar stër-stër-stërgjyshen e tyre shumë herë. “Ajo është “stër…gjyshja jonë. Ne kemi të njëjtin gjak që na rrjedh në vena”, thonë ato.

Historianët dhe studiuesit e artit kanë shpenzuar shumë kohë në kërkimet mbi gruan me buzëqeshjen enigmatike të Da Vincit: a ishte ajo imagjinare, apo reale.

Sipas disa teorive, ajo ishte bashkëshortja e një tregtari mëndafshi, ndërsa të tjerë thonë se ajo ishte thjesht imazhi që kishte Da Vinci për gruan ideale.

Ka edhe një teori tjetër, sipas të cilës, ajo që mund të konsiderohet si piktura më e famshme dhe e njohur në historinë e artit është në të vërtetë një autoportret i mjeshtrit italian.