Në stinën e bukur të verës, jo gjithnjë ekziston dëshira për t’u mbyllur në palestër. Nga ana tjetër, duhet të jemi në formë, ndaj kemi disa këshilla për ju sesi të kryeni lëvizje për të mbajtur trupin në formë, pa qenë nevoja të mbylleni në një palestër.

Duhet fare pak: një gjysëm ore ushtrimesh fizike në park në fund të ditës, duke shfrytëzuar orët më të freskëta dhe dritën e ofruar nga netët e verës, mbase në shoqëri të mikeshave, të cilave mund t’i dedikoheni për t’u rikthyer në formë.

Shkallët dhe Hapat: Janë zgjidhja më e mirë për të humbur peshë.

Ekspertët thonë në çdo rast: Mënyra ideale e stërvitjes për të gjithë, është ecja, të paktën 30 minuta në ditë. Përdorimi i shkallëve në vend që të merrni ashensorin është një ide shumë e mirë për të djegur kalori dhe për të tonifikuar këmbët.

Shfrytëzoni familjen: Kush ka fëmijë e di mirë që të luash me ta, është një gjimnastikë e mrekullueshme.Të vegjlit kanë energji të pashtershme dhe të luash me ta mund të jetë një ushtrim fizik me intensitet të lartë.

Nëse nuk keni fëmijë, por mbani një kafshë shtëpiake, është e njëjta gjë përsa i përket stërvitjes. Qentë, për shembull vlerësojnë më shumë një shëtitje të këndshme ose do preferonin shumë ndonjë lojë të zhvilluar në park. Do ju jetë shumë mirënjohës, ashtu si edhe trupi juaj.

Biçikleta: Keni menduar ta përdorni si mjet transporti biçikletën?

Nëse do të keni mundësi të udhëtoni me biçikletë, në vend të makinës apo transportit publik, atëherë zëre se e bëtë palestrën për ditën. Biçikleta mund të transformohet në miken tonë më të mirë. Përdoreni sa më shumë të jetë e mundur, do ju rikthejë në formë dhe nga ana tjetër do jeni mike e mirë me mjedisin.

Litari: Një stërvitje e shkëlqyer dhe e thjeshtë për t’u praktikuar është hedhja me litar.

Teknika është e njëjtë me atë që përdornim kur ishim fëmijë. Qëllimi është të arrijmë të hidhemi 100 herë pa ndërprerje dhe mbi të gjitha pa sforcim.

Por, për këtë duhet ta nisim gradualisht, në fillim bëjmë më pak hedhje, aq sa mund të përballojmë dhe gradualisht e rrisim numrin e tyre ditë pas dite.Të hidhesh me litar është një ushtrim aerobik i kompletuar, i cili tonifikon, përmirëson frymëmarrjen dhe reagon në mënyrë të shkëlqyer në sistemin kardiovaskular.

Stoli: Është ai që quhet “bench workout”, apo ndryshe përdorimi i një stoli të thjeshtë nga ata që gjenden parqeve të qytetit, për t’u mbështetur dhe për të bërë gjimnastikë.

Mund të përdoret si mbështetëse për ushtrimet tonifikuese të këmbëve, si ‘step’ për t’u ngjitur dhe zbritur dhe për të gjitha ushtrimet në të cilat përdoret stoli i palestrës.j.j