Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko kujton valën e largimit të shqiptarëve drejt vendeve fqinje pas rrëzimit të diktaturës, që sot me 8 gusht përkon me 27 vjetorin e largimit të anijes së quajtur “Vlora”, drejt brigjeve të Barit në Itali.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Majko shprehet se në 8 gusht të vitit 1991 një anije shqiptare me rreth 20 mijë persona në bord, mbërriti në portin e Barit.

“Anija e quajtur “Vlora” u kthye në një simbol të emigrantëve, të ëndrrës dhe shpresës për një të ardhme më të mirë. Pak ditë më parë në portin e Barit ankoroi një tjetër anije; “Anija e shpresës”, një skulpturë kjo që i kushtohet eksodit të madh të 27 vite më parë. Skulptura, e cila u realizua nga artistja shqiptare Ledi Shabani, dëshmon mirënjohjen e popullit shqiptar për mikpritjen që i ofruan qytetarët e Barit” shprehet Majko.

Më tej Majko shton se “ngjarja është e ngulitur thellë në kujtesën e të dy popujve dhe ka frymëzuar gjithashtu realizimin e dokumentari “La Nave Dolce”, nga Daniele Vicari”.