Media zbuloi dje një vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë, sipas të cilit dy nga drejtuesit e protestës për teatrin, Kastriot Çipi dhe Robert Budina, rezultojnë të dënuar për vjedhje fondesh publike.

Ata janë kallëzuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, nga e cila kishin përfituar një fond prej 8.8 milion lekësh për realizimin e një filmi dokumentar: film i cili nuk u realizua kurrë. Ende sot, dyshja Çipi-Budina nuk i kanë kthyer kurrë paratë, as pas ndërhyrjes së Zyrës Përmbarimore.

Por, Çipi dhe Budina nuk janë drejtuesit e vetëm të protestës kundër ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, që rezultojnë të dënuar për vjedhje fondesh publike.

Mes tyre janë edhe së paku tre të tjerë: Besian Pesha (drejtues i Nismës Thurje), Altin Goxhaj dhe Zirkon Disha (Lëvizja Zgjohu), të cilët sot fshihen nën petkun e shoqërisë civile, por që në të kaluarën e tyre kanë disa njolla të zeza me drejtësinë shqiptare.

Dyshja Çipi-Budina dhe treshja Pesha-Goxhaj-Disha janë edhe firmëtarët e letrës drejtuar Presidentit Ilir Meta, të cilit i kërkojnë mosdekretimin e ligjit për Teatrin e ri Kombëtar.

Historia e vjedhjeve të Besian Peshës është shkruar edhe më parë në media. Ai daton që në vitet 90-të si hajdut kasetofonesh dhe tasa makinash, në qytetin e bukur të Gjirokastrës, e më vonë në vjedhje banesash.

Në media është publikuar edhe një vendim gjyqësor për të, ku thuhet: “Shtetasi Besian Pesha, i biri i Stavri dhe i Like, lindur më 1980 në Gjirokastër, në bazë të vendimit nr. 0009, data 25. 2. 1999 të Gjykatës së rrethit të Gjirokastrës, është deklaruar fajtor për krimin e vjedhjes dhe në bazë të nenit 134 KPP, është dënuar me katër muaj e gjysmë burgim.

Në bazë të nenit 306/I të KPP e dënon me tre muaj burgim. Vuajtja e dënimit i fillon nga data e ndalimit më 10 janar 1999.

Prova materiale, aparati fotografik i tipit “CANON”, t’i kthehet Alket Premtit. Me vendim nr. 17, datë 31.03.1999 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, është vendosur lënia në fuqi e këtij vendimi.”

Vite më vonë, në 2011-ën, kur drejtuesi i Nismës Thurje militonte në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, u emërua nga kryeministri Sali Berisha, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, detyrë nga e cila u shkarkua për afera të rënda korruptive me minierat e kromit në veri dhe naftën në jug të vendit.

Në media është shkruar se gjobat që vendoste Besian Pesha shkonin deri në 150 mijë-200 mijë në javë.

Zirkon Disha është një tjetër figurë që lëviz si activist i shoqërisë civile. Për herë të parë ai dhe “Lëvizja Zgjohu” ka nisur të njihet në publik për fushatën publicitare dhe organizimet kundër atyre që protestuan në 21 Janar të vitit 2011, ku mbetën të vrarë 4 qytetarë nga armët e ‘pagatorit të tyre.

Çifti i dyshimtë Zirkon Disha dhe miku i tij më i afërt Altin Goxhaj, në atë kohë mendonin se rreziku nuk ishte qeveria që vriste njerëz, por qytetarët që protestonin kundër qeverisë vrastare.

Lëvizja Zgjohu në atë kohë ndërmori një fushatë të gjerë spotesh publicitare të transmetuar në një sërë mediash, ku sulmoheshin protestuesit dhe mbrohej qeveria e atëhershme demokrate.

Lidhur me këtë angazhim të Dishës dhe “Lëvizjes Zgjohu” në atë kohë media publikoi një sërë faktesh, që vërtetonin financimet e tij nga para të Agjencisë së Mbështetjes së Shoqërisë Civile, që drejtohej nga Altin Goxhaj.

Madje lidhur me këto afera si Disha ashtu edhe Goxhaj janë edhe zyrtarisht të kallëzuar në Prokurori. Për Dishën kërkohet ndjekja penale për veprën mashtrim të kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, në Prokurori është kërkuar edhe ndjekja penale për Altin Goxhaj, për veprën e shpërdorimit të detyrës dhe mashtrimit të kryer në bashkëpunim.

E pas këtij lumi aferash, lind pyetja: Sa moral ka një protestë e braktisur tashmë nga artistët dhe aktorët, që organizohet çdo ditë nga Partia Demokratike, nën drejtimin e pesë individëve të akuzuar dhe dënuar për vjedhje fondesh publike, t’u imponohen shumicës së qytetarëve që duan ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar bashkëkohor? (tiranapost).j.j