Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, është drejt shkarkimit, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti probleme të rënda në të paktën dy nga tri kriteret e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Përveçse ka fshehur një dënim në Itali dhe ka probleme me pasurinë, Thanza rezulton i papërshtatshëm për detyrën, pasi ka qenë nën hetim dhe ka pasur edhe kontakte dhe me persona të botës së krimit.

Ai ka qenë nën hetim për korrupsion në vitin 2016 dhe ka pasur lidhje me një person të shpallur në kërkim, i cili rezulton se ka qenë regjistrues i Shkodrës, shtetasi SH.B..

Thanza është takuar me bashkëshorten e regjistruesit në Tiranë dhe është filmuar të shkëmbejë para, sipas KPK-së.

Sipas KPK-së, ekziston dhe një kontratë dhurimi me datë 22 prill 2017, ku rezulton se shoqëria C…SHPK, i ka dhuruar gjyqtarit një garazh në qytetin e Shkodrës.

Kjo shoqëri ka qenë në një çështje gjyqësore në vitin 2017, ku relator i dosjes ka qenë pikërisht Thanza.

Kjo çështje është mbyllur më 6 mars 2018.