Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ka dështuar totalisht gjatë drejtimit të Prokurorisë së Përgjithshme përgjatë vitit 2017.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e akuzoi dje ish-kryeprokurorin se nuk ka kryer asnjë hetim, pavarësisht ankesave të shumta që ministria ka depozituar në prokurori.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve mbi mënyrën e zbatimit nga organi i Prokurorisë ndaj rekomandimeve prioritare të dhëna nga Këshilli i Ministrave në luftën kundër kriminalitetit gjatë vitit 2017, ministrja Gjonaj u shpreh se në 80 ankesa që Ministria e Drejtësisë ka bërë në prokurori, organi i akuzës nuk ka ndërmarrë asnjë hetim ndaj të akuzuarve.

“Ministria e Drejtësisë ka depozituar 80 ankesa në prokurori, por gjatë 2017 organi i akuzës nuk ka ndërmarrë asnjë hetim në lidhje me këto çështje.

Pra ka pasur një nivel të dobët sa i takon hetimeve proaktive. Prokuroria i ka pasur të gjitha mundësitë që të ndërmerrte hetime proaktive. Dhe kjo gjë ka sjellë një ngërç të madh në sistem”, tha Gjonaj.

Ajo deklaroi se ndaj të gjithë prokurorëve që nuk kanë marrë përsipër nisjen e hetimeve do të ketë penalitete.

“Ish-prokurori i Përgjithshëm nuk e konsideroi të rëndësishëm inspektimin në një kohë që ligji e thotë qartë që prokuroria dhe KLD kanë kompetenca, MD jo.

Drejtoria e inspektimit duhet të vijonte punen, pasi solli ngërç të madh.

Për hetimet pro aktive është situatë dramatike, pasi prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që të ndërmarrë hetime pro aktive.

Për ata prokurorë që nuk kanë marrë hetime duhet të ketë penalitete”, u shpreh Gjonaj.

Gjonaj lëshoi akuza dje ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla edhe për procesin e vetingut.

Ajo tha se Prokuroria e Përgjithshme gjatë vitit 2017 ka mbyllur për një vit e gjysmë Drejtorinë e Inspektimit, duke krijuar vështirësi reale për procesin e vetingut.

Ministrja u shpreh se për shkak të shkrirjes së kësaj strukture nga tetori 2016 deri në shkurt 2018, është bërë i mundur rivlerësimi për vetëm 24 prokurorë.

“Sipas ligjit 84 2016 përcaktohet si organ ndihmës të organeve të vettingut struktura përkatëse e Prokurorisë së Përgjithshme.

Vlen të theksohet se kjo strukturë, Drejtoria e Inspektimit përgjatë 2016 nuk ka ekzistuar, duke krijuar një vështirësi dhe duke ndikuar negativisht dhe në procesin e vlerësimit profesional të prokurorëve.

Kjo deri në shkurt të 2018 kur rezulton se në KPK, nga Prokuroria ishin dorëzuar raportet vetëm për 24 subjekte, duke sjellë vështirësi në procesin më të rëndësishëm në procesin e vetingut”, tha Gjonaj./TEMA