Skanimin dhe kontrollin e detajuar të ecurisë së kontratës së aeroportit të Tiranës nga ana e organeve shtetërore, e ka konfirmuar zyrtarisht edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Arben Ahmetaj shpjegoi arsyet se përse çmimi i biletave në Shqipëri është ndër më të shtrenjtët në rajon dhe në Europë, ndërsa konfirmoi analizën ekonomike të detyrimeve që ka për të reflektuar në tarifa koncesionari, të publikuar para disa ditësh nga Televizioni Klan, por që u përgënjeshtrua nga koncesionari i Rinasit, duke nënkuptuar edhe një proces gjyqësor për dëmtim të imazhit.

Kreu i Financave u shpreh i sigurtë se procesi i negociatave për rishikimin e tarifave që koncesionari vendos ndaj kompanive të fluturimit ajror, do të jetë në të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Aerporti i Rinasit mban tarifa dy deri në tre herë më të larta se vendet e rajonit. Në një krahasim të këtyre çmimeve, televizioni Klan zbuloi disa ditë më parë se pothuajse të gjitha llojet e tarifave të shërbimeve të tokës ishin të paktën dy herë më të larta. Nga ana tjetër, tre vendime të Autoritetit të Konkurrencës kanë rekomanduar ulje të tyre, duke e bërë koncesionarin si përgjegjësin kryesor për çmimin e lartë të biletave.