Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi sot se paketa fiskale që i kemi propozuar për miratim Kuvendit është vazhdimësi e filozofisë dhe e programit të kësaj mazhorance për të ulur barrën fiskale për biznesin.

“Ne e çliruam sipërmarrjen nga ‘duart në fyt’ që i kishte vënë qeveria e djathtë dhe po synojmë t’i japim Shqipërisë rritje ekonomike mbi 5% në mënyrë që të përfitojë çdo qytetar”, u shpreh Ahmetaj.

Sipas tij, kjo paketë lehtësish që mund të quhet edhe paketë solidariteti e ndihmon sipërmarrjen e vogël të zhvillohet në favor të ekonomisë së familjare.

Ministri theksoi edhe se ulja e pragut të deklarimit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë nuk solli rritje çmimesh, ashtu si u pretendua nga opozita.

“Opozita tha në se nëse ulet pragu i TVSH-së do të rriten çmimet. E vërteta është sot se për të gjitha njësitë që preken nga ulja e pragut të TVSH-së është bërë sondazh i drejtpërdrejt nga INSTAT. Rezultati është se inflacioni në muajt prill dhe maj rezulton në nivelet 2% sa çka qenë në në vazhdën e gati 5 viteve”, vuri në dukje kreu i financave publike.

Madje, shtoi ai, kemi parë indeksin e mallrave që janë prekur nga ulja e pragut të TVSH-së dhe ka ulje çmimesh për shumë produkte.

“Ju e rritët borxhin. Ne jo vetëm kemi ulur taksat por po ulim edhe borxhin. Kemi tre vite rresht që me operacionet tona nuk krijojmë borxh të ri”, iu drejtua ministri opozitës.

Sipas tij, përmes politikave të ndërmarra kemi ulur barrën fiskale për 97% të qytetarëve dhe 91% të sipërmarrjes në vend.

Paketa e solidaritetit, siç e quajti ministri Ahmetaj, prek tre ligje fiskale, ligjin për TVSH-në, atë për taksat vendore, si dhe ligjin për të ardhurat.

Konkretisht, ulet tatim-fitimi për agro turizmin dhe për fermerët e inkorporuar në shoqatat e bashkëpunimit nga 15% që është aktualisht në 5%.

“Përmes instrumenteve fiskal si ulja e TVSH-së dhe tatim-fitimit po promovojmë bashkimin e fermerëve që politika e zhvillimit bujqësor të zbatohet më kollaj”, tha Ahmetaj.

Jemi duke kuruar, shtoi ministri, atë problem që ka bujqësia, pasi i gjithë prodhimi është i bazuar në ngastra të vogla toke, ku teknologjia dhe faktorët e prodhimit që janë puna e kapitali nuk bëhen dot bashkë për shkak të këtij copëtimi.

“Ky është qëllimi i i lehtësimit fiskal që na çon drejt një konsolidimi të faktorëve të prodhimit që të rrisim produktivitetin e këtij sektori”, vijoi më tej kreu i financave publike.

Ndërsa duke prezantuar ndryshimet që prekin ligjin për TVSH-në, sipas të cilave ulet TVSH për akomodimin dhe ushqimin në të gjitha subjektet e çertifikuara si agro turizëm nga 20% në 6%, ministri Ahmetaj theksoi se ne po synojmë të bëjmë Shqipërinë një vend konkurrues në rajon.

“Ndryshimet synojnë që oferta jonë turistike të jetë konkurruese”, tha ai.

Ahmetaj iu dha përgjigje edhe akuzave të ngritura nga opozita duke risjellë në vëmendje premtimin e dhënë nga kjo mazhorancë për të avancuar mbështetjen fiskale për agro turizmin.

“Në vjeshtë të vitit të kaluar aprovuam paketën lehtësuese për investimet në strukturat e akomodimit me 4 dhe 5 yje. Paketa u godit nga opozita me pretendimin se ndihmon oligarkët, sepse opozita i quan investitorët oligarkë. Ne premtuam që shumë shpejt do të avancojmë mbështetjen fiskale edhe për agro-turizmin”, tha ai.

Paketa ka 3 elementë të rëndësishëm. Ofron ulje të tatim-fitimit në 5%, ulje të TVSH-së për akomodimin dhe ushqimin për agro-turizmin nga 20 në 6%, si dhe për ato biznese që do të kenë rishtas investim në agro-turizëm taksa e infrastrukturës është zero.

Live: Fjala në Parlament

Gepostet von Arben Ahmetaj am Montag, 9. Juli 2018