Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, ka nisur procesi i mirëmbajtjes, rehabilitimit të rrugës në zonën e Kasharit drejt Durrësit, ndërkohë që po studiojmë mundësinë e një ndërhyrje të thellë për zgjerimin e aksit Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e aksit Tiranë-Ndroq-Plepa, për të krijuar dy korridore, në të ardhmen njëri me pagesë dhe tjetri pa pagesë.

Sipas tij, deri në mesin e muajit korrik do të kemi një pamje të qartë të skenarëve të mundshëm dhe pastaj do të shohim se ku shkon më arsyeshëm llogaritja dhe të diskutojmë në transparencë me publikun.

Rama tha se, bëhet fjalë për një paketë të madhe financiare që përfshin edhe rrugën e re Kashar-Rrogozhinë që do të sillte një shkurtim të ndjeshëm të lidhjes midis Tiranës me Vlorën, jugun e vendit.

Sikundër, theksoi kryeministri, aksi Kashar-Thumanë bashkë me Balldrenin, do të sillnin një shkurtim të ndjeshëm të distancës me veriun e vendit.

“Por në të dyja rastet, do të kemi një rritje të ndjeshme të standardeve në këto rrugë”, – garantoi kryeministri. J.J