Duket se diskutimi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar në Tiranë nuk është çështje vetëm e shqiptarëve të këtej anës së kufirit. E kuptueshme, përderisa Teatri Kombëtar i Shqipërisë duhet të shihet edhe si skena e të gjithë shqiptarëve.

Aktorja e njohur e teatrit të Kosovës dhe jo vetëm, Ilire Vinca, fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare në karrierën e saj të gjatë artistike, mbështet ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar në Tiranë, në vendin ekzistues, duke e cilësuar atë si një mrekulli për artistët dhe spektatorët.

“Po të kishte mundësi të ndërtohej një teatër i ri në vendin ekzistues do të ishte mrekulli. Teatri është zhvilluar shumë në vendet tjera për nga ana teknike, çka iu mundëson artistëve të sjellin në jetë kreativitetin e tyre, madje edhe i frymëzon për gjetje të reja. Përveç kësaj, një teatër i ri do të krijonte mundësi edhe teknike për punëtorët e teatrit dhe organizimin e shfaqjeve. Nga ana tjetër, edhe për audiencën do të ishte një freski. Uroj të bëhet sa më shpejt”, thotë ajo.

Ilire Vinca ka një repertor të pasur në karrierën e saj në skenat e teatrit Kosovar, ndërkohë së fundi performoi në Tiranë me dramën “Natën, ma”, në Teatrin Metropol, me regji të Ema Andreas, një lojë e cila u mirëprit shumë mirë nga publiku. Ajo sapo është kthyer nga Los Angelos, ku tërhoqi çmimin për filmin “Gardhi” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër “Palm Spring”. Ndërkaq, është përzgjedhur nga League of Professional Theatre Women “LPTW”, në Nju Jork, në mesin e 20 femrave më të suksesshme në fushën e aktrimit.