Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur në Shkup ambasadoren e Zvicrës në Maqedoni, Sibel Suter Tejada, me të cilën ka diskutuar rreth aktualiteteve politike në vend, por edhe për mbështetjen zvicrane për institucionet dhe proceset në Maqedoni.
Lideri i BDI-së, sipas komunikatës pas takimit, fillimisht foli për situatën politike me ç’rast vlerësoi arritjet e mëdha brenda vitit të parë të qeverisjes siç janë përfundimi i pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit, reformat urgjente, marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bulgarinë dhe marrëveshja për kontestin e emrit me Greqinë.

Ahmeti theksoi që Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO në samitin e javës së ardhshme të Aleancës në Bruksel, ndërsa muajin e kaluar përfituam edhe datën për fillim të negociatave për anëtarësim në BE.

Në vijim, Ahmeti foli për rëndësinë e veçantë që BDI i vë reformave në gjyqësor dhe në përgjithësi reformave sistemore. Sundimi i ligjit është parakusht edhe për zhvillim ekonomik dhe kredibilitet të institucioneve të vendit.

Ambasadorja e Zvicrës Tejada elaboroi projektet e mbështetura nga Zvicra në Maqedoni, përfshirë edhe aktivitetet e parapara në drejtim të bashkëpunimit me partitë politike me ç’rast Ahmeti tha që BDI mbështet tërësisht këto përpjekje dhe shprehu falënderim ndaj qeverisë zvicerane për gjithë ndihmën e dhënë.j.j