Alegri ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku sigurisht tema e ditës ishte mbërritja e Kristiano Ronaldos në Torino. Alegri vlerësoi Ronaldon për kualitetin dhe tha se kjo ishte mirë për klubin. Si gjithë italianët ai ishte i kënaqur pasi ardhja e portugezit do të jetë mirë për të gjithë futbollin italian në përgjithësi.

“Blerja e Ronaldos mendoj se është shumë e rëndësishme, një hap cilësor për shoqërinë dhe për të gjithë ambientin. Nuk kam folur asnjëherë me Ronaldon, por besoj se do takohemi të hënën, kur të bëhet edhe prezantimi zyrtar”, deklaroi trajneri bardhezi. Gjithashtu Alegri tregoi edhe objektin kryesor të Juventusit, që natyrisht është Liga e Kampionëve, trofe që mungon prej vitesh në shtëpinë bardhezi.

“Sa i përket triumfit në Champions, me blerjen e Ronaldos do të jemi më të vetëdijshëm për forcën tonë në fushë, por kjo nuk përkthehet në sukses të padiskutueshëm. Çdo vit te Juventusi, e përjetoj si një cikël të ri, por këtë herë merr edhe më shumë vlerë, pasi po bëjmë një merkato të denjë për klube të mëdha” përfundoi tekniku.