Analistët rusë, skeptikë për informacionet kundër Trump

0

Politikanët rusë dhe analistët e sigurisë shprehën skepticizëm të mërkurën rreth pretendimeve se zbulimi rus ka mbledhur informacione dhe materiale për të kompromentuar presidentin e zgjedhur Donald Trump.

“Duken të pakazonshme në shumë drejtime dhe sinqerisht, jo të besueshme”, thotë Mark Galeotti, hulumtues në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Pragë. “Jo vetëm për shkak se disa nga akuzat individuale mund të mos jenë të vërteta, por, që një individ i vetëm mund të ketë mbledhur të gjithë këtë material”.

Informacioni rreth materialit që mbetet i pabazuar, pretendohet të jetë siguruar nga një ish agjent britanik i zbulimit që punonte për një kompani private. Ai thuhet t’ja ketë dorëzuar atë zyrtarëve amerikanë të zbulimit, të cilët ia kaluan zotit Trump si dhe presidentit Barack Obama javën e kaluar.

Njoftimet e mediave bëjnë të ditur se çështja përfshin një kamera të fshehtë dhe një regjistrim intim në një dhomë hoteli në Moskë, kur zoti Trump ka qënë për vizitë në vitin 2013, si dhe dyshime për kontakte mes këshilltarëve të zotit Trump dhe atyre rusë. Zoti Trump mohoi ekzistencën e ndonjë regjistrimi të tillë dhe hodhi poshtë me shpejtësi pretendimet se Rusia mund të përdorë ndonjë informacion për ta kompromentuar atë.

Reagimi i Rusëve

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i quajti të mërkurën akuzat “trillim” dhe një përpjekje për të dëmtuar marrëdhëniet bilaterale. Ai mohoi akuzat se Rusia ka grumbulluar material kompromentues kundër ndonjë personi.

“Është vetë natyra e lojës,” thotë zoti Galeotti. “Grumbullon çdo gjë që ke mundësi me shpresën se do ta përdorësh. Mohon çdo gjë që ke mundësi të mohosh, nëse del në sipërfaqe.”

Televizioni shtetëror rus Channel One tha se akuzat ishin një përpjekje nga ato që i quajti media amerikane me prirje demokrate, për të komplikuar presidentin e zgjedhur Trump. Zyrtarët rusë dhe media shtetërore kanë demonizuar administratën në largim të presidentit Barack Obama dhe kanë shtuar shpresat për marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara nën administratën “miqësore” ndaj Rusisë të presidentit të ardhshëm Trump.

Në rrugët e Moskës, rusët i bënë jehonë kësaj ideje.

“Mendoj se nuk është e vërtetë,” tha një 25-vjeçar, menaxher për import-eksporte. “Mbështes versionin zyrtar të Kremlinit. Kjo nuk është e nevojshme. Ne duam marrëdhënie normale mes vendeve tona.”

“Mendoj se ata duan të na provokojnë, por nuk e kuptoj arsyen” thotë Takhir, një inxhinier 29 vjeçar.

“Mendoj se është e bazuar më shumë në hamëndje politike, sesa në fakte”, thotë analisti politik rus Yevgeny Minchenko. “Mendoj se nuk është mirë për demokracinë në Shtetet e Bashkuara, por në të njëjtën kohë, dua të them se sistemi politik amerikan është mjaft fleksibël. Unë besoj në demokracinë amerikane dhe mendoj se ajo mund ta përballojë këtë.”

Pikëpyetje lidhur me kohën

Disa nga akuzat e dala nga raporti, vetëm disa orë para konferencës së parë të shtypit të zotit Trump që nga zgjedhjet, kishin qarkulluar si thashetheme gjatë vitit të kaluar. Koha e dhënies së këtyre informacioneve zotit Trump nga agjencitë e zbulimit, vetëm disa ditë para inaugurimit të tij si president ngre pikëpyetje tek disa, nëse e gjithë kjo është një shpagim ndaj komenteve përçmuese që presidenti i zgjedhur ka bërë rreth këtyre agjencive.

“Dëmi real nga akuzat e pabaza, – thekson zoti Galeotti, – nuk ka të ngjarë të jetë kundër Rusisë ose zotit Trump, por një ndarje më e thellë mes mbështetësve dhe kritikëve të presidentit të zgjedhur.”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU