Përditësimi i të dhënave të aktivitetit ekonomik nga ana e tatimpaguesve u jep atyre mundësinë të mos përzgjidhen gabimisht nga analiza e riskut.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ftoi sot tatimpaguesit që të bëjnë përditësimin e të dhënave për aktivitetin që ushtrojnë.

“Është e rëndësishme që këto të dhëna të jenë sa më të sakta, pasi vetëm në këtë mënyrë përjashtohet mundësia që të përzgjidheni gabimisht nga analiza e riskut”, thuhet në njoftimin e DPT-s.

Administrata Tatimore, përdor analizën e riskut për të identifikuar tatimpaguesit e parregullt, duke i bërë ata në këtë mënyrë objekt të kontrolleve të thelluara tatimore. Kjo shoqërohet me kosto, jo vetëm për administratën, por edhe për vetë tatimpaguesit.

DPT, sjellë në vëmendje, se çdo përpjekje për të përmbushur vullnetarisht detyrimet ligjore, sa i takon deklarimit dhe pagesës në kohën e duhur, i klasifikon tatimpaguesit si të rregullt dhe nuk i bën ata objekt të kontrolleve të thelluara tatimore.

Tatimpaguesit, duhet t’i drejtohen Qendrës Kombëtare të Biznesit për të bërë përditësimin e aktivitetit të tyre ekonomik.