Nga Ylli Aga 

Letonia, vendi i vogël baltik, shënoi një nga surprizat më të mëdha, duke siguruar një biletë në finalet e Euro 2004. Dhe ishte një kompeticion me 16 ekipe, jo me 24 si 12 vite më vonë. Ishte një surprizë sepse në asnjë rast më parë Letonia nuk ishte shfaqur me statusin e pretendentes dhe mbeti një enigmë sepse në çdo kompeticion pasardhës nuk i është afruar asnjëherë të njëjtit profil. Nëse kuqezinjtë tanë vijojnë me të njëjtat lojëra dhe rezultate si në ndeshjet e fundit me Norvegjinë dhe veçanërisht me Kosovën dhe Ukrainën, me siguri ajo çfarë i ndodhi Letonisë nuk do jetë rasti i vetëm në kontinent, ku një ekip kombëtar shfaqet dhe zhduket me shpejtësi si një meteor.

SA LARG “FOTOGRAFISË” SË EURO 2016

Shqipëria në Europianin francez nuk ishte një kapriço e fatit. Asnjë kombinim i çuditshëm rrethanash. Ishte një debutuese dinjitoze në fushën e lojës, në tribuna dhe në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët. Entuziazmi, krenaria dhe imazhi i atyre ditëve do të jetë e vështirë për t’u përsëritur. Qoftë edhe për arsyen se nuk do të jetë më hera e parë. Fiks pa dy vitesh, kuqezinjtë na janë shfaqur para syve shumë zbehtë, jo seriozë dhe jo profesionistë. Me mungesë të theksuar dëshire dhe dashurie për gjithçka përfaqësojnë.

Në këtë krahasim një ndikim mund të ketë edhe fakti se në ndeshjet e fundit mungonin plot 13 futbollistë nga aventura në Europian dhe pikërisht: Shehi, Cana, Lila, Agolli, Aliji, Basha, Memushaj, Kukeli, Xhaka, Abrashi, Kaçe, Gashi dhe Sadiku. Revolucioni kuqezi është prekur jo vetëm nga futbollistët, të cilët i kanë mbyllur llogaritë me futbollin, por edhe një seri dëmtimesh, penalizimesh dhe forme sportive, që e kanë ulur ndjeshëm standardin e cilësisë, me të cilin e gjitha Europa i njohu shqiptarët.

PENALIZIMI NGA MUNGESAT E FUTBOLLISTËVE TË RËNDËSISHËM

Ka vetëm një shteg që mund të nxjerrë rrethi i përgjegjësisë stafin teknik me trajnerin Panuçi në krye, për paraqitjet tejet zhgënjyese me Kosovën dhe Ukrainën, mungesat e disa futbollistëve të rëndësishëm për formacionin kuqezi. Vetë italiani përmendi numrin 7 të lojtarëve që nuk i kishte në dispozicion për këto ndeshje, një numër që nëse u ndodh edhe kombëtareve më të mëdha të kontinentit, me siguri do të bënte që të dridheshin themelet e profilit të lojës dhe rezultateve që të gjithë i njohin.

Për Shqipërinë e futbollit mungesat e praktikisht 2/ 3 të formacionit do të justifikonin çfarëdo rezultati, por sigurisht jo nivelin e lojës dhe përgjegjësinë, që gjithsecili ka kur drejton apo vesh bluzën kuqezi. Por, për çdokënd është e qartë se me futbollistë si Strakosha, Agolli, Xhaka, Abrashi, Kace, Memushaj, Basha, Grezda apo Sadiku me siguri llogaritë do të jenë krejt të tjera.

DRITËHIJET E ÇËSHTJES AGOLLI

Pavarësisht eksperimenteve të shumta në ndeshjet e fundit, duket shumë e vështirë për të gjetur një “sozi” për Ansi Agollin. 35-vjeçari, që nuk kuptohet pse Panuçi e llogarit 37, vijon të luajë ende në nivele të larta. Kampion kombëtar me skuadrën e tij dhe me një pasaportë “champions league” në sezonin e fundit. Si për të gjithë edhe për të ora biologjike e futbollit po i afrohet fundit dhe ai personalisht nuk e ka fshehur asnjëherë. Por, për momentin nuk po del asnjë alternativë që t’ia rrëmbejë atij bluzën e titullarit dhe në futboll dhe veçanërisht në një ekip kombëtar do të duhet që të luajnë gjithmonë më të mirët.

Teoria e një bluze titullari të dhuruar nuk duhet të ekzistojë. Dhe një gjë të tillë e di shumë mirë edhe një ish-futbollist si Kristian Panuçi, që pasi qëndroi larg ekipit kombëtar për disa vite, u thirr, u aktivizua, madje edhe shënoi me kombëtaren italiane në Euro 2008. Dhe atë mot, trajneri aktual i Shqipërisë ishte mbi 35 vjeç, njëjtë me Ansi Agollin sot. Në këtë debat ka një pjesë “puzzle” që mungon dhe që gjithkush mund ta konstatojë. Ndoshta mes trajnerit dhe kapitenit mund të ketë një akord dhe në këtë pikë çdo diskutim apo tentativë për të marrë në konsideratë një rikthim të mundshëm të Agollit duhet arkivuar.

STANDARDET ME MATERIAL “LLASTIKU”

Një nga gjërat që meriton të kritikohet më së shumti trajneri Panuçi është përmendja vend e pa vend e standardeve që pretendon që po aplikon në drejtimin e ekipit tonë kombëtar. Përgjigjja e tij për të justifikuar mosgrumbullimin e disa futbollistëve janë aktivizimet e pakta me ekipet respektive. Në fakt, lojtarët në “top formë” duhet të jenë kryefjalë për grumbullimin dhe një element i rëndësishëm dhe deri diku përcaktues për objektivat e Kombëtares sonë.

Por, ky standard nuk duhet përdorur si “llastik”, të cilin e tërheq apo lëshon sipas rastit, por duhet respektuar deri në fund ose duhet eliminuar krejtësisht me justifikimin e përligjur, që zgjedhjet i takojnë vetëm trajnerit dhe për to nuk duhet kontestuar. Kjo pasi është e pakuptueshme, që minutat e pakta të përmenden për disa lojtarë dhe tek ekipin ynë nuk janë të paktë dhe nga ana tjetër të grumbullojë të tjerë futbollistë që kanë të njëjtën problematikë. Trajneri duhet të jetë plotësisht i lirë të grumbullojë dhe aktivizojë çdo futbollist që beson se mund t’i shërbejë kombëtares, veçanërisht në ndeshje miqësore për të marrë përgjigjet e duhura për skuadrën, me të cilat do të na udhëheqë në Nations League. Dhe në këtë pikë justifikimet mund t’i kursejë.

KOHA PËR TË REFLEKTUAR

Nëse kombëtare të traditës dhe të sukseseve maksimale si Italia dhe Holanda dështojnë për të luajtur në kompeticione madhore, për kuqezinjtë do të ishte e thjeshtë për të gjetur justifikime. Por, standardi i Euro 2016 duhet tentuar sërish. Madje, me çdo çmim. Pikë së pari nga FSHF dhe presidenti Duka, që duhet të marrë në konsideratë vendimin për të vazhduar apo jo me Panuçin. Nëse beson se gjërat mund të përmirësohen, duhet të shtojë mbështetjen për të, nëse “zjarri” është shuar mund të shkohet edhe në ndarje për të ndezur një “zjarr” të ri.

Nëse zgjedh të vazhdojmë me Panuçin, siç duken të gjitha gjasat që do të jetë, atëherë duhet të jetë italiani që duhet të reflektojë për gjithçka ka bërë deri tani për t’u dhënë fund eksperimenteve në emra dhe module loje për të rikthyer harmoninë dhe entuziazmin në skuadër, për të hequr dorë nga statusi i “rreshterit” dhe për të kopjuar modelin “Zidan” sa u takon marrëdhënieve dhe rregullave me futbollistët e tij, në mënyrë që çdonjëri prej tyre të japë gjithçka nga vetja, qoftë kjo edhe si një dedikim personal për trajnerin. Futbollistët gjithashtu duhet të reflektojnë, sepse nuk mund të jetohet pafundësisht me fotografitë e Euro 2016.

Nëse koha ka zbritur nga froni i lavdisë yjet më të mëdhenj të botës, sigurisht që do të jetë e pamëshirshme për çdonjërin nga kuqezinjtë tanë, nëse vazhdohet me paraqitje si në ndeshjet e fundit. Në këtë moment kërkohen futbollistë që sakrifikojnë gjithçka për të mbajtur Kombëtaren në nivele të larta. Dhe bazuar në të gjitha parametrat, kuqezinjtë tanë e meritojnë dhe me shumë mundësi do të jenë aty