-Mbyllet fushata 1-mujore, Manastirliu: Dhuruan 1500 qytetarë, kapërcyem një periudhë të vështirë për mbulimin e nevojave me gjak

Në ditën përmbyllëse të fushatës 1 mujore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Mjaftojnë 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë”, artistë të njohur të skenës dhe ekranit dhuruan gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

“Kemi një lajm të mirë në këtë ditë përmbyllëse të fushatës, kemi kapërcyer një periudhë shumë të vështirë për mbulimin e nevojave me gjak sidomos për fëmijët talasemikë dhe besojmë se kjo verë, me të gjitha gjasat, nuk do të ketë vështirësi për sigurimin e gjakut për fëmijët talasemikë, për të bërë një jetë sa më normale. Dhe kjo falë dhuruesve të shumtë që na u bashkuan në këtë iniciativë, duke bërë që të kemi gjatë këtij muaji, të kemi tre herë më shumë dhurues krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, u shpreh Ministrja Manastirliu.

Mbi 1500 dhurues vullnetarë nga e gjithë Shqipëria, nga institucione publike e private, njerëz të zakonshëm, dhurues periodikë por edhe shumë dhurues për herë të parë, personeli shëndetësor, ambasadorë, politikanë dhe sidomos të rinjtë, ju përgjigjen nismës së ministres Manastirliu, duke dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

Shqipëria ka 10.7 dhurime për 1000 banorë ndërsa nevojat janë dy herë më të mëdha. Nevojat e vendit për gjak janë 20 dhurime për 1 mijë banorë ndaj Ministrja Manastirliu së bashku me artistët Manjola Nallbani, Gazmend Paja, Erion Isai, Myfarete Laze, Roland Hysi etj, bënë apel për qytetarët që të dhurojnë gjak, një gjest solidar që kushton vetëm 10 minuta kohë dhe i jep mundësi për të bërë një jetë normale fëmijëve talasemikë.

“Fushata mbyllet sot por nuk ndalemi këtu: Vijojmë me një kalendar të përcaktuar përgjatë gjithë verës, sidomos gjatë muajit gusht për të garantuar plotësimin e nevojave me gjak për fëmijët talasemikë dhe për këdo që ka nevojë”, tha Manastirliu.

Nisur nga nevojat e mëdha për gjak që ka stina e verës, një muaj më parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nisi fushatën e dhurimit vullnetar të gjakut ‘Mjaftojnë 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë’, ku Ministrja Manastirliu dhe stafi i Ministrisë dhuruan gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë. Gjatë 30 ditëve të fushatës, nismës ju bashkuan 1500 qytetarë nga e gjithë Shqipëria.