Llogaridhënia publike e qeverisë u ndal në Njësinë Administrative Shirgjan, Bashkia Elbasan ku Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sëbashku me ministrin e Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, kryetarin e Bashkisë Qazim Sejdini, zv. ministrin e Bujqësisë, Dhimo Kote dhe drejtues qendrorë institucionesh iu përgjigjën një për një shqetësimeve dhe ankesave të banorëve.
Në fjalën e tij, Balla duke folur për reformën në drejtësi, tha se Vettingu po shkon në themelet e sistemit të vjetër të drejtësisë, për t’i shkulur nga themelet personat që nuk e meritojnë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë.
“Një vit më parë këtu para jush, së bashku me Edi Ramën, u angazhuam për të çuar përpara Vettingun. Para një vit nuk e besonte kush që Prokurori i Përgjithshëm do të ishte subjekt i Vettingut dhe sot besoj e keni ndjekur që Vettingu po shkon në themelet e sistemit të vjetër të drejtësisë, për t’i shkulur nga themelet personat të cilët nuk e meritojnë, në asnjë moment të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, e për të ngritur kështu një drejtësi të re,  e cila të bazohet tërësisht në meritokraci profesionale, integritet dhe ku i jepet drejtësi atij që i takon, jo atij që paguan, – deklaroi Balla.
Duke folur për hapjen e negociatave, Balla tha: “Ne presim pas pak ditësh një lajm të mirë për Shqipërinë, siç është hapja e negociatave. Hapja e negociatave ishte e lidhur tërësisht me ecurinë e procesit të Vettingut dhe Vettingu po ecën shumë mirë”.
Ndërsa ministri Ahmetaj në fjalën e tij tha se, për herë të parë në Shqipëri ka ndryshuar mënyra e qeverisjes dhe qytetarët kanë akses direkt dhe konkret në vendimmarrje.
Llogaridhënia publike e qeverisë, vijoi edhe në Njësinë Administrative Polis, Bashkia Librazhd, ku banorët e tkësaj njësie shprehën problemet e hasura, një pjesë e të cilave gjetën zgjidhje të menjëhershme.
Sipas, Ballës, askush nuk e kishte menduar më parë se e gjithë qeveria do të shkonte në çdo cep të vendit, edhe nëse s’ka zgjedhje, por me synimin e vetëm për të qenë pranë qytetarëve për çdo problem që kanë.j.j