Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, priti në një takim delegacionin e Partisë Komuniste Kineze.

Mësohet se delegacioni kryesohej nga Shen Beili, Zëvendësministre në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.
Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Balla tha se dy vendet gëzojnë marrëdhënie miqësore dypalëshe dhe tradicionale.

PS njofton se Balla theksoi se për PS është i rëndësishëm forcimi i dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet: në atë qeveritar, parlamentar, ekonomik, akademik, kulturor dhe në të gjitha fushat me interes reciprok. Po ashtu është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi edhe në nivel organizatash ndërkombëtare ku të dy vendet janë anëtare.

Gjatë bisedës u diskutua për çështjen e Kosovës, pasi Republika Popullore e Kinës nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla i kërkoi përfaqësueses së lartë të Partisë Komuniste kineze që Kina të mbështesë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si një proces që shkon në dobi edhe të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Palët u ndalën gjatë diskutimit të tyre në çështje konkrete të bashkëpunimit ekonomik, siç është edhe nisma 16+1.

“Për Partinë Socialiste kjo nismë është një instrument i rëndësishëm dhe një platformë e rëndësishme bashkëpunimi ekonomik, komunikimi dhe mirëkuptimi kulturor që do të përforcojë më tej marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Kinës, por edhe ato multilaterale mes vendeve të 16+1. Qendra për Rininë në kuadër të nismës 16+1 duhet të vendoset në Tiranë”,- theksoi zoti Balla.

Më tej ai shtoi se tregu kinez duhet të jetë i hapur për prodhimet bujqësore shqiptare dhe ne kërkojmë ndërhyrjen partisë tuaj për eliminimin e barrierave dhe njohjen e certifikatave fito-sanitare.

Sipas zyrës së shtypit të PS, një tjetër projekt që u diskutua ishte edhe ai “Një Brez dhe Një Rrugë”, ku Balla theksoi se Shqipëria e ka konsideruar si një mekanizëm shtesë për të nxitur zhvillimin e koordinuar dhe progresin e përbashkët në planin shumëpalësh, por edhe bilateral në aspektet ekonomike, shoqërore, mjedisore, si dhe për të inkurajuar dialogun dhe integrimin ndërmjet civilizimeve të ndryshme.

Në përfundim të takimit palët ranë dakord për fillimin e një komunikimi intensiv dypalësh, i cili do të konkretizohet në një Memorandum Bashkëpunimi midis Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë Komuniste të Kinës, shkruan PS. Në këtë takim Balla shoqërohej nga të gjithë anëtarët e Sekretariatit të Partisë Socialiste.