Merkato në Angli është mbyllur, afrime nuk do të ketë më, pra vetëm dalje pritet të ketë. Kështu, Manchester United duhet që të kujdeset për Paul Pogba, i cili dëshirohet nga Barcelona në Spanjë. Megjithatë, pranë blaugranave ende nuk sqarojnë se si po shkon operacioni.

Ky operacion është i komplikuar, pasi ka ende të dhëna që duhen plotësuar që Pogba të transferohet. Kryesore për momentin është dëshira e lojtarit, i cili do largimin nga United për shkak se nuk përputhet me karakterin e Jose Mourinho-s. Por, për faktin se klubi anglez nuk ka firmosur me asnjë mesfushor tjetër, atëherë do të jetë e vështirë që Pogba të largohet.

Dëshirën e francezit për t’u larguar nga “Djajtë e Kuq” e konfirmon dhe agjenti i tij, megjithatë, kontrata e lojtarit është e vlefshme deri në qershorin e vitit 2021. Për këtë temë ka folur edhe legjenda Rio Ferdinand, i cili publikisht ka kërkuar që dikush në klub t’i vendosë kapak thashethemeve rreth lojtarit francez.

Nga ana tjetër, në Spanjë pranojnë se Pogba është pranë nënshkrimit me Barcelona-n sipas kontakteve të mediave me agjentin Mino Raiola. Për këtë arsye pritet që të ketë dhe një takim mes drejtuesve të Barça-s, të cilët do të përcaktojnë se çfarë do të bëjnë për mesfushorin. Është e qartë se afrimi i Pogba-së do të rriste cilësinë e mesfushës së Barcelona-s, por edhe imazhin ndërkombëtar të klubit, arsye që do të shtyjnë drejtuesit të veprojnë për këtë rast.

Pavarësisht dëshirës së katalanasve për të afruar fituesin e Botërorit, ka një fakt që nuk e favorizon këtë transferim. Bëhet fjalë për klauzolat e lirimit të lojtarëve, të cilat nuk ekzistojnë në Angli. Por, ekziston një pikë në kontratat e Premier League, ku lojtarët nëse nuk ndihen mirë apo që iu janë shkelur të drejtat e punës, atëherë ata mund të ndryshojnë klubin e tyre.