Bernd Riegert/ 
E Ngarkuara me politikën e jashtme të BE, Federica Mogherini dhe tre ministra të jashtëm të BE, Jeremy Hunt nga Britania e Madhe, Jean-Yves Le Drian nga Franca dhe Heiko Maas nga Gjermania i kanë dënuar së bashku sanksionet e SHBA kundër Iranit. Pas tërheqjes së administratës së SHBA nga “Marrëveshja me Iranin”, e cila synon një përdorim paqësor nga Irani të energjisë bërthamore, BE, Kina dhe Rusia vazhdojnë t’i përmbahen Marrëveshjes. BE dëshiron t’i anashkalojë sanksionet amerikane që hyjnë nesër në mëngjes në fuqi dhe të cilat dënojnë edhe sipërmarrjet evropiane, që bëjnë tregti me Iranin.

Sanksionet “sekondare” Komisioni Evropian në Bruksel i konsideron ilegale. Amerikanët duan t’ua ndalojnë ndërtuesve evropianë të automjeteve, bankave dhe koncerneve energjetike bizneset me Iranin. Po e shkelën ndalimin, mund të konfiskohen pasuri të firmave në SHBA.

BE synon t’i bllokojë sanksionet amerikane

Prandaj BE ka nxjerrë një të ashtuquajtur “Blocking Statute”, për të frenuar efektin e sanksioneve amerikane. Firmat evropiane fitojnë të drejtën që t’i hedhin në gjyq para gjykatave evropiane dënimet amerikane dhe të kërkojnë dëmshpërblim nga shteti amerikan ose nga sipërmarrjet amerikane. Në praktikë, kjo rrugë mund të rezultojë shumë e gjatë dhe e vështirë. “Statuti bllokues”është hartuar që në vitin 1996, por nuk është përdorur deri tani. Atëherë u hartua për mbrojtje nga sanksionet amerikane kundër Kubës dhe Iranit, por SHBA u tërhoqën pas kësaj prej tyre.

“Blocking Statute” u ndalon sipërmarrjeve evropiane që t’u përmbahen sanksioneve amerikane. Kjo mund të ndëshkohet me gjoba në shtetet anëtare të BE. Megjithatë “ne nuk ua përcaktojmë sipërmarrjeve vendimet ekonomike që do të marrin ato. Asnjë sipërmarrje nuk mund të detyrohet të investojë në Iran”, thotë një nëpunës i BE. Me fjalë të tjera, një sipërmarrje mund të thotë se po tërhiqet për arsye ekonomike dhe jo për shkak të sanksioneve të SHBA nga Irani.

Sa i madh mund të jetë dëmi ekonomik për sipërmarrjet, që preken nga sanksionet sekondare të SHBA, këtë BE nuk e shpreh dot në shifra. Që tani, shumë sipërmarrje e banka kanë thënë se do të tërhiqen nga biznesi me Iranin, para së gjithash në ato raste kur ato kanë pasuri të paluajtshme në SHBA, të cilat shteti mund t’i konfiskojë.

Shumë banka private, midis tyre edhe Deutsche Bank, nuk duan të kenë të bëjnë me temën e Iranit. Për to qasja e papenguar në tregun financiar amerikan është shumë më e rëndësishme.

Të prekura nga sanksionet e SHBA janë para së gjithash firma franceze dhe italiane. Koncerni energjetik francez “Total” nuk do ta vazhdojë më një projekt të madh prej pesë miliardë eurosh. Sipërmarrjet italiane i kanë anuluar tashmë investimet e planifikuara. Ngjashëm ka vepruar edhe koncerni gjerman Siemens.

“Ne duam të tregojmë se ndihemi edhe më tej të detyruar ndaj Marrëveshjes me Iranin”, thotë një nëpunës i lartë i BE. Shpresa është që edhe udhëheqja e Teheranit, e cila ndodhet nën presion të madh ekonomik t’i përmbahet marrëveshjes dhe të heqë dorë nga ndërtimi i armëve atomike.