Trajneri Roberto Martinez ka drejtuar stërvitjen e radhës për Kombëtaren e Belgjikës, e cila nesër në orën 20:00 do të luajë gjysmëfinalen e Botërorit ndaj Francës.

Në sy ka rënë mungesa e pesë futbollistëve, të cilët përgjithësisht janë në formacionin titullar të belgëve.

Eden Hazard, Romelu Lukaku, Vinsent Kompani, Aksel Vitsel dhe Tomas Munier nuk kanë zhvilluar seancën stërvitore me pjesën dërrmuese të grupit.

Teksa për Munier flitet se po riaftësohet për një dëmtim të lehtë të pësuar ndaj Brazilit, nuk dihet arsyeja e mungesës së katër yjeve të tjerë.

Nuk shqetëson gjendja e mbrojtësit të djathtë, pasi sidoqoftë ai do të mungojë ndaj Francës për shkak skualifikimi (grumbullim kartonësh), por katër të tjerët duket se kanë alarmuar belgët.