Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tha se po shqyrton dhënien e një kredie sovrane deri në 60 milionë euro (69,4 milionë dollarë) për financimin e projekteve në infrastrukturë dhe turizëm në Shqipëri, shkruan seenews.com.

“Kredia do të ndahet në dy këste nga 30 milionë euro secili dhe është pjesë e programit të infrastrukturës që mundëson turizmin në Shqipëri”, njoftoi BERZH me anë të një deklarate.

“Banka do të kërkojë gjithashtu të sigurojë financimin, ose të shpërndajë rrezikun nëpërmjet bankave lokale tregtare si dhe shërbimeve këshilluese për të mbështetur ndërmarrjet mikro dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), aktive në zinxhirin e vlerave turistike”, sipas deklaratës.

“Investimet infrastrukturore që mundësojnë zhvillimin e turizmit do të kryhen në rajonet si Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër, ndërsa investimet e përgjithshme komunale dhe të infrastrukturës së transportit do të bëhen në të gjithë vendin, duke përfshirë edhe rajonet më të synuara”, vë në dukje banka.

Programi do të bashkëfinancohet me një grant të BE-së prej 40 milionë eurosh që do të përdoren, ndër të tjera, për rehabilitimin e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe do të vihen në dispozicion përmes Instrumenteve për Ndihmën Para-Anëtarësimit (IPA).

Sipas BERZH, objektivat e programit janë të rrisin konkurrueshmërinë e sektorit të turizmit në Shqipëri përmes një qasje gjithëpërfshirëse duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës, rehabilitimin e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe mbështetjen e NVM-ve.

Programi gjithashtu do të synojë përmirësimin e infrastrukturës komunale dhe mjedisore në të gjithë vendin dhe lidhjet e transportit rajonal për të siguruar qasje më të besueshme në qendrat ekonomike.