Dita e nesërme, 31 korriku është afati i fundit që të gjitha bizneset që janë subjekt i tatimit mbi fitimit, duhet të depozitojnë pranë qendrës kombëtare të biznesit, bilancet e 2017.

Aplikimi bëhet online në portalin “e albania”, pa pagesë. Pasqyrat financiare duhet të skanohen dhe të kthehen në format elektronik PDF, ndërsa individët duhet të jenë të pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike.

Përveç bilancit, bizneset duhet të depozitojnë raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë, kur mbajtja e tyre është e detyrueshme dhe vendimin për miratimin e pasqyrave financiare, sipas kërkesave ligjore.

Sipas qendrës kombëtare të biznesit, ditët e fundit ka pasur një fluks të madh aplikimesh online, ndërkohë që serveri ka qenë në funksion të plotë dhe nuk ka pasur shkëputje.

Gjoba për tejkalimin e këtij afati është 15 mijë lekë të reja.Për kompanitë me administrator të huaj dhe shoqëritë e kursim-kreditit, aplikimet nuk mund të bëhen online, por vetëm në sportelet e qendrës kombëtare të biznesit.

Depozitimi i bilanceve është detyrim ligjor dhe bizneset duhet të dorëzojnë këto dokumente jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes se çdo viti financiar.