Partizani do të luajë sot aktin e parë të Ligs së Europës përballë Mariborit, takim i cili do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”. Duke ditur rëndësinë e këtij takimi, tifozët e Partizanit janë organizuar për të mbështetur masivisht skuadrën e tyre në synimin për një rezultat pozitiv.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, tifogrupi “Ultras Guerrils” kanë njoftuar se do të ketë një marshim drejt stadiumit dhe jepen detaje të tjera në lidhje me organizimin para ndeshjes.

“Sot rikthehet futbolli, sot luan kryeqyteti, sot ne i kthehemi stadiumit, sot ndezim sezonin e ri në një përballje të rëndësishme kundër slloveneve të Maribor. Duhet mbështetja e fuqishme shpresojmë në rezultat pozitiv dhe së bashku të tentojmë të përsërisim mrekullinë e Budapestit.

Hajdeni te gjithë!
Grumbullimi fillon prej orës 15:00 tek Baza 46 e së bashku marshojmë drejt stadiumit.

Në hyrje të stadiumit do të ketë birra të cilat do keni mundësi t’i blini gjatë gjithë ndeshjes, kështu që edhe vapën e mundshme do e sfidojmë!

Forca Partizani! Shpërndaje këtë njoftim, ta marrin vesh te gjithë!”, shkruhej në postimin e tifogrupit.