Nga Maks Konomi

Në emisionin televiziv, ku flitej mbi ngjarjen e ”bombës në Ambasadën Sovjetike”, është folur në mënyrë krejt të pavërtetë dhe të padrejtë për qëndrimin e babait tim Manol Konomi, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera nga Uran Butka. Po të ishte gjallë im atë, do të fliste vete dhe do t’i jepte pergjigjen e duhur, siç dinte ai, këtyre gënjeshtrave e paçavureve të këtyre farë personave. Pikërisht, kjo anatemi ka filluar qëkurse ai nuk jeton më.

Gjithashtu, ai nuk do të më lejonte që të flisja për të. Ka qenë një person që për integritetin moral, qendrimet e tij në çdo rast e rrethanë është vlerësuar maksimalisht nga njerëzit e thjeshtë dhe elita intelektuale patriotike e të gjithë krahëve. Përgjigjja ime ndaj Butkës është që çfarëdo të thoni, çfaredo “arkivë të Sigurimit të Shtetit” ose të KQ-së, të PPSH-së të gërmojë, nuk ka se çfare t’i bëjë figurës së tim eti! Ju qofshi, për “shërbimin”që po i bëni këtij vendi! Mbase nevojitet nje Vetting pastërtie edhe për këta shkrues mjeranë….

Përpara se të merrem me temën në fjale, dua të sqaroj mbi një takim të Butkës me babanë në vitin 1992 ose 1993. Me Butkën ishim kolegë në Parlament dhe ai më kerkoi nje takim me babanë për ngjarjen e bombës në ambasaden sovjetike. Im ate hezitoi, pasi nuk dëshironte të fliste për veten dhe për çka kishte bërë, por me insistimin tim, pranoi. Pas takimit, në të cilin për arsye pune nuk isha prezent, e pyes si shkoi? Më thotë: jo mirë…, pasi Butka insistonte që të dënuarit ishin të organizuar kundër regjimit komunist. Nga e nxori Butka këtë dhe pse?!

Duke qenë se qëndrimi i babait ishte i qartë dhe i prerë që ata u vranë për terror dhe viktimat nuk kishin asnjë lidhje me njeri-tjetrin, takimi nuk ishte aspak konstruktiv. Natyra personale e sulmit të Butkes, më ka bërë të dyshoj se nuk është pa lidhje me këtë takim dhe kundërshtitë në princip të tim eti. Mjafton ky rast për mua, për të kuptuar integritetin si njeri apo “historian” të këtij personi. Megjithatë, po rreshtoj edhe disa elementë të tjerë që Butka “shfreu” në emision, të cilët bien në sy:

“Ai ka qene Minister i Drejtësisë dhe është përgjegjës për të gjitha krimet dhe vrasjet që janë bërë, jo vetëm gjate lufte.. por dhe deri në vitin 1951″ (Citoj Uran Butkën).

Dashakeqesia eshte e qarte per disa arsye: e para, s’ka kuptim të lidhësh periudhën e luftës me pozicionin e Ministrit të Drejtësisë.

E dyta, një historian i mirëfilltë dhe mbi të gjitha i paanshëm, do të dinte më së miri se në ato vite gjykatat, të cilat dënonin armiqtë e regjimit, nuk vareshin nga Ministria e Drejtësisë, por nga Ministria e Brendshme.

E treta, dhe më e rëndësishmja, një historian apo njeri me integritet, nuk do të deklaronte pa iu nxirë faqja, një përgjegjësi të tillë kardinale për dikë, pa patur as minimumin e fakteve, përkundrazi, duke patur para syve një gjest të kundërt: refuzimin e dënimit të të pafajshmëve, duke vënë dhe në rrezik jetën dhe familjen!

2.”Kur atij i paraqitën kopjen e dekretit për ta firmosur, ai tha, nuk është oportune që të bëjmë këtë akt, pasi lë gjurmë. Ne kemi vrarë, sa kemi dashur”, dhe pastaj hidhet te pleniumi “dhe une jo 20 vetë, jam gati të pushkatoj, po dhe më shumë”. Dashakeqësia dhe paturpësia janë të pabesueshme! Duhet sqaruar nje element kyç: ka dy momente, së pari, kërkesa zyrtare e bërë në zyrën e Ministrit të Drejtësisë për dekretin nga zv. Ministri i Brendshem Kadri Hazbiu, mori nje refuzim të prerë të dekretit nga Manol Konomi, dhe momenti i dytë, në Plenium, ku u sulmua Manol Konomi në mënyrë të befasishme nga Mehmet Shehu (i cili ishte në dijeni të refuzimit të dekretit nga ana e tij) që nuk ishte dakord për ekzekutimin e të pafajshmëve. Në plenium, nuk u diskutua dekreti, pra teknikaliteti, por vendimi, pushkatimi.Im atë ka qenë kundër të dyjave, sepse në fakt ishin e njëjta gjë: dekreti do të thoshte pushkatim të pafajshmëve. Uran Butka me pafytyrësi e tregon sikur im atë ka qenë vetëm kundër pjesës teknike, pra dekretit se na lënka gjurmë. Dhe pastaj e lidh këtë me pjesën e pleniumit, ku im atë paska thene qe jam gati të vras edhe më shumë. Duke qene se ne plenium ai u sulmua se ishte kunder pushkatimit, nuk ka kuptim që ai të thoshte që dekreti nuk është oportun dhe që ishte gati të pushkatonte edhe më shumë. Në të vërtetë, ai vazhdoi të njëjtën linjë që e vuri në konflikt me diktaturën: ai u shpreh kundra pushkatimeve pa gjyq të të pafajshmëve, pasi bien ndesh me parimet themelore të drejtësisë, sepse vetëm vërtetimi i fajësisë me gjyq justifikonte dënimin.

Një tjeter element i rëndësishëm (të cilin, e përsëris, një historian ose njeri me integritet do ta kishte pikasur) që përforcon sa më sipër, është edhe dorëheqja e tim eti, kërkuar dhe e papranuar prej Enver Hoxhes, pak kohë para kësaj ngjarjeje. Për ta vërtetuar këtë, mjafton të gjendet përmendja e saj nga vetë Enver Hoxha në Plenium dhe në Konferencën e Tiranës. Dorëheqja e kërkuar prej tij, siç e shpjegon dhe në kujtime) vinte si pasojë e realitetit të dhimbshëm, pikërisht prej represionit, krimeve, arrestimeve e internimeve të kohës dhe nëpërmjet letrave anonime që i vinin tim eti. Vetë kjo dorëheqje dëshmon për një person e moral tjetër nga ai që prezanton Butka: që ka vrarë e prerë dhe që e ka hallin vetëm tek lënia e gjurmës. Duhet kuptuar që në konteksin e kohës, akte të tilla si dorëheqja apo kundershtimi për të firmosur ishin rrezik real për jetën dhe familjen, në një kohë, kur edhe pa bërë asgjë, mund të dënoheshe e ekzekutoheshe, siç ndodhi dhe me viktimat. Si të tilla dhe të pashoqe, këto akte bënin bujë, siç edhe në rastin e tim eti.

Në lidhje me përdorimin e arkivave komuniste për çfarëdo synimi apo axhende të Butkës, është fare sipërfaqësore (në këtë rast e qëllimshme) që ato të merren tekstualisht të vërteta, përsa i përket deponimeve të “armiqve të Partisë”. Nëse do ta shkruanim historinë në këtë mënyrë, ku thuajse të dënuarit nëpër dosje e arkiva e pranojnë fajin, krimin, etj., historia që do të rezultonte do t’i shërbente pikërisht atij regjimi, pra si një regjim që dënoi thjesht fajtorët. Kjo vlen jo vetëm për “deklarimet” e tim eti në plenium, por edhe për vërtetimin “katërcipërisht” siç thoshte Butka se bombën e kishin vendosur një grup anti-regjim. Duke i rënë shkurt, mjafton të lidhësh tre ngjarje brenda një kohe të shkurtër: e para, propozimi i dekretit nga K. Hazbiu përpara ngjarjes së bombës, e dyta, vetë pleniumi me tematikë kritikën e oportunizmit të Manol Konomit që kishte kundërshtuar pikërisht këtë dekret dhe e treta, po gjatë pleniumit, vënia e bombës dhe listat e gatshme. Të tëra keto janë një koinçidencë e pamundur dhe dikush, pa një qëllim në vetvete, veç të vërtetës, do të mendonte më thjesht, se e gjithë historia e bombës ishte një sajesë e planifikuar e ekzekutuar nga vetë sigurimi, pikërisht për të zbatuar dekretin, largimin e të padëshiruarit Manol Konomi. Butka, gjithashtu deklaron që im atë ka studiuar për jurisprudencë në Greqi, çka është tërësisht e pasaktë. Ai ka mbaruar studimet në universitetin e Tuluzës, Francë dhe doktoraturën në Perugia të ltalisë. Ai kishte mundesi ta verifikonte këtë me të afërmit e tij, njekohesisht miq të tim eti.Manol Konomi, ish ministër Drejtësie në vitet 1944-1951, i ka titulluar këto shënime “Disa kujtime nga jeta ime”. Ai zbulon arsyet e dorëheqjes nga posti i ministrit të Drejtësisë, pas disa letrave anonime ose jo, mbi arrestime të padrejta, tortura nga organet e sigurimit në hetuesi, gjyqe me dëshmitarë të rremë, internime arbitrare, etj.. Kujton propozimin e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiut, i cili kërkonte që të përgatitej dhe të miratohej një dekret, mbi gjykimin e akteve terroriste me porosi, bazuar mbi një të ngjashëm të nxjerrë nga arkivat e pluhurosura të KGB-së. Kujton tonin e egër të Mehmet Shehut pas dhënies e lajmit të bombës gjatë plenumit të njohur tashmë si plenumi i Tuk Jakovës, Manol Konomit dhe Teodor Hebës – kur e akuzon se ai Manol Konomi nuk ishte dakord “të ekzekutohen 40 veta”. Ai shpjegon edhe se kush janë në të vërtetë fajtorët e vënies së bombës. Sipas tij, ajo u vendos nga organet e sigurimit, madje dhe me pëlqimin e atyre që qëndronin në atë kohë në krye të Partisë dhe të shtetit. Gjithçka ishte e planifikuar. Ai akuzon Sigurimin e Shtetit për këtë akt terrorist, për vrasjen e mbi 29 personave (ky vallë është numri i saktë?). Tashmë familjarët, kanë vendosur të botojnë shënimet e ish-ministrit mbi hedhjen e bombës në muret rrethuese të ambasadës sovjetike në Tiranë. Ai i mbyll kujtimet e kësaj pjese të jetës së tij duke thënë: “Tani që po shkruaj këto rreshta i bëj vetes një pyetje: A ishte njerëzisht e mundshme që të bëja diçka më tepër për ta, viktima të një terrori të egër shtetëror?”.1979

Përpara se të jap disa sqarime në lidhje me dhënien e dorëheqjes si ministër i drejtësisë, e quaj të nevojshme të hap një paranthezë: të hedhim një vështrim në mënyrë retrospektive në periodën shumë të afërt me atë që shtrihet pas plenumit të 11-të dhe Kongresit të Parë. Në Kongresin e Parë (dhe pas plenumit të 11-të), shumë njerëz brenda dhe jashtë partisë u gënjyen, ushqyen shpresën se ky kongres do të shënonte fundin e një periudhe të errët dhe fillimin e një periudhe të re në jetën e vendit dhe në atë të partisë në të gjitha fushat dhe së pari, e sidomos në fushën e ligjshmërisë, në respektimin e të drejtave më themelore të njeriut. Ky ishte një illuzion dhe të gjithë ata që patën këtë shpresë, se pas Kongresit do të frynte një erë e re, u zhgënjyen keqas. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, Kongresi i Parë nuk solli e nuk mund të sillte asgjë të re dhe ja arsyeja: të gjitha gjyqet e zhvilluara pas çlirimit – duke filluar nga ai i deputetëve – me një qëllim të caktuar dhe të ditur tanimë, terrori i zbatuar gjatë kësaj periode (çlirimi – Kongresi), ndjekjet, arrestimet arbitrare, internimet e familjeve të personave të dënuar, u bënë dhe bëheshin me dijeninë dhe pëlqimin e Enver Hoxhës, sekretar i parë dhe kryeministër. Pretendimi i tij, se ai ishte mbyllur në një kafaz të fildishtë ishte një trillim diabolik që vetëm njerëzit e thjeshtë dhe naivë mund ta besonin. Në këtë “kurth” ranë me dashje ose jo, për oportunizëm ose nga frika shumica e anëtarëve të K.Q., ranë dhe ata që ishin në dijeni se asgjë nuk bëhej pa dijeninë dhe pëlqimin e E.H.; ranë ata që e dinin dhe ishin dëshmitarë të faktit se ai kish propozuar që posti i sekretarit të përgjithshëm t‘i jepej Titos (përgjegjësia e këtyre të fundit ishte shumë e rëndë). Vetëm ky fakt ishte i mjaftë për ta vënë atë në bangën e të akuzuarëve së bashku me Koçi Xoxen. Kjo s‘u bë. Kjo ishte një fatkeqësi për popullin e për partinë. Kuptohet kollaj pra pse Kongresi i Parë nuk mund të shënonte dhe nuk shënoi një kthesë. Menjëherë pas Kongresit të Parë filluan ndjekjet, arrestimet, internimet në përmasa të gjera në zbatim të luftës së klasave dhe të ashpërsimit të kësaj lufte. Vazhdoi lufta kundër intelektualëve të vjetër dhe të rinj.

Për të qenë i sinqertë, Kongresi jo se nuk më la entuziast, ndonëse u zgjodha anëtar i Komitetit Qëndror, por më bëri shumë skeptik dhe pesimizmin ua kisha shfaqur n‘atë kohë dy shokëve të mi të ngushtë (M.Sh. dhe H.B.)… Por kjo s‘ka asnjë rëndësi, gjersa nuk mund të ndryshonte asgjë në rrjedhën e gjërave.

Pas Kongresit – nuk kish kaluar shumë kohë – (natyrisht edhe më përpara) më vinin shumë letra anonime dhe jo anonime. Ajo që më bënte përshtypje ishte se të gjitha këto letra kishin pothuaj të njëjtën përmbajtje: arrestime të padrejta, tortura nga organet e sigurimit në hetuesi, gjyqe me dëshmitarë të rremë, internime arbitrare, etj, etj. Të gjitha këto rrëfime të jepnin një tabllo të mjeruar të ligjshmërisë sonë socialiste. Kam parasysh letrat që më vinin pas 1948-1950.

Të them të vërtetën nuk ka gjë më të vështirë, më të tmerrshme të ndodheshe në gjendjen time si ministër, si njeri i ligjit dhe shkurt si njeri. Unë kisha konceptet e mia mbi drejtësinë, mbi ligjshmërinë dhe këto koncepte u përpoqa t‘i vinja në jetë, kur isha gjykatës në Korçë pa druajtje dhe pa u tërhequr nga presionet që mund të vinin nga shumë anë. Isha i ri si gjykatës e bëra detyrën time, pavarësisht se kjo më kostoi shumë shtrenjtë: bejlerët ma shtrinë të vdekur vëllanë në mes të rrugëve të Korçës. Ky është një kapitull tjetër. Kjo ka lënë gjurmë të thella në shpirtin tim. Këtë ngjarje tragjike e përmenda për të treguar se kur një njeri është i brumosur me disa parime, nuk mund të largohet prej tyre pa tjetërsuar vehten.

Nuk dua të përshkruaj vuajtjen shpirtërore, gjendjen time psikike kur lexonja këto letra. Një rrugë pa krye më dilte përpara dhe shpesh ndodhesha si i gozhduar përpara një alternative. Duhej marrë dhe sa më parë një vendim. Por sa pikëpyetje dhe sa probleme më dilnin përpara! Dhe të them të vërtetën, po të mundohesha të zgjidhja këto probleme, t‘u jepnja një përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve, kurrë nuk do të isha në gjendje të zgjidhja rrugën që zgjodha. Vendosa të kërkoj largimin tim nga ministria e drejtësisë dhe fillova të ndjenja lehtësim në shpirt. U dashka një moment për të marrë një vendim me rëndësi, duke ia lënë kohës dhe fatit (!) zgjidhjen e problemeve të tjera dhe sidomos atyre familjare.

Isha i sigurt se të gjitha këto letra i përgjigjeshin realitetit të hidhur, siç isha i sigurtë se të gjitha këto shkelje dhe arbitraritete kryheshin me dijeninë dhe me pëlqimin e Kryeministrit n‘atë kohë dhe sekretarit të përgjithshëm të partisë, Enver Hoxha. Sidoqoftë dyshimet e mia ose më mirë bindjet e mia duhet të vërtetoheshin plotësisht. Tashmë, kisha hedhur hapin e parë, asgjë nuk mund të më ndalonte më që të hidhja edhe hapin e dytë më pak të vështirë se i pari. Në takimin e parë që pata me Enver Hoxhën, i fola mbi përmbajtjen e letrave që më drejtoheshin nga njerëz të ndryshëm si ministër i Drejtësisë, duke vënë në dukje se në rast se ishin të vërteta çka thuhej në këto letra, ne kemi të bëjmë me shkelje të rënda të ligjshmërisë që dëmtojnë rëndë shtetin tonë socialist. Asnjë reagim nga ana e tij përveç ndonjë buzëqeshjeje ironike “Ã peine visible”. Vendimi im ishte i pandryeshëm. Duhej pa tjetër të linja postin që kisha, t‘ia linja tjetërkujt vendin si ministër i drejtësisë. Dy herë i paraqita dorëheqjen Enver Hoxhës. Në Konferencën e Tiranës ai ka thënë se kjo ndodhi për të shtatën herë (!)

Ndodhemi nga fundi i vitit 1950 dhe fillimi i vitit 1951, kur u zbulua vendosja e bombës në muret rrethuese të ambasadës sovjetike. Gjatë gjithë kësaj kohe, Enver Hoxha mbajti një heshtje të plotë – nuk e di për çfarë arsye – dhe vetëm në pleniumin që vendosi përjashtimin nga Komiteti Qëndror dhe nga detyra si ministër, përmendi, siç do ta tregoj më vonë – çështjen e dorëheqjes sime.

Ky është historiku me pak fjalë i dorëheqjes sime. Dua të theksoj me këtë rast se çdo gjëje duhet t‘i japim dimensionet e saj të vërteta. Kur një njeri kryen detyrën e vetë, nuk duhet t‘i njihet një meritë e veçantë, ai nuk ka bërë veçse detyrën e tij.

Bomba në muret rrethuese të ambasadës sovjetike

Zhvillimin e ngjarjeve rreth kësaj çështjeje do ta tregoj në mënyrë skematike.

Pak kohë përpara zbulimit të bombës në ambasadën sovjetike dhe përpara plenumit që do të analizonte gabimet e rënda të Tuk Jakovës dhe oportunizmin e theksuar në organet udhëheqëse të ministrisë së drejtësisë, vjen në zyrën time zv. Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu me një dekret të gjetur dhe të nxjerrë nga arkivat e pluhurosura të KGB, mbi gjykimin e akteve terroriste me porosi që të pregatitej dhe t‘i paraqitej së shpejti për miratim Presidiumit të Kuvendit Popullor një dekret anallog. Ky dekret natyrisht, nuk do të shihte dritën e publicitetit, nuk do të botohej në gazetën zyrtare, por do të mbahej si disa të tjerë, në fshehtësi të plotë. Ky dekret që nuk kishte veçse 2-3 nene (përmbajtjen e të cilëve nuk e mbaj mend saktësisht) ishte mohimi i plotë i parimeve të drejtësisë, përbënte shkeljen më flagrante të normave ligjore në fuqi, shkeljen e të drejtave më elementare dhe themelore të njeriut.

Pasi lexova me kujdes këtë dokument, i them zv. Ministrit të Punëve të Brendshme se nuk mund dhe nuk duhet të paraqitej një projekt, duke marrë për bazë dekretin e huaj. I parashtrova argumentat dhe arsyet e mia, duke shtuar se nuk ishte as politikisht oportune që të pranohej një ligj me një përmbajtje t‘atillë pas shtatë vjetëve jetë të pushtetit popullor. Qëndrimi im ishte i prerë, ai kishte karakterin e një kundërshtimi të hapur. Kadri Hazbiu u largua dhe unë mbeta me bindjen se ky dekret do të dilte patjetër një ditë…

Nuk mund të le pa përmendur se gjatë bisedës sonë, Kadri Hazbiu nuk reagoi dhe nuk tregoi ndonjë shenjë pakënaqësie.

Dy ditë përpara plenumit që përmenda më sipër – plenumi ky i njohur tashmë si plenumi i Tuk Jakovës, Manol Konomit dhe Teodor Hebës – shpërndahet të gjithë anëtarëve të Komitetit Qëndror një projektrezolutë ose projektvendim. Në këtë projekt thuhej se “në organet udhëheqëse të drejtësisë ka oportunizëm të theksuar” siç e përmenda më lartë. Byroja Politike ose Sekretariati nuk kishin marrë më parë në analizë punën e kësaj udhëheqjeje. Çdo gjë ishte vendosur “Ã priori”. Duke lexuar projektrezolutën që do të shërbente si baza e diskutimeve që do të zhvilloheshin në këtë plenum, – konkluzionet “Ã priori” ishin orientimi që jepej dhe askush nuk do të guxonte t‘u kundërvihej atyre – ndjeva shenjat e para të furtunës që po më afrohej (zaret tashmë ishin hedhur) dhe këtë e lidha menjëherë me vendimin tim për t‘u larguar nga Ministria e Drejtësisë (ndonëse kishte kaluar një farë kohe) dhe me çështjen e dekretit të famshëm dhe sidomos me këtë.

Në seancën e parë të ditës së dytë (në dy seancat e ditës së parë u muarr me “gabimet” e rënda të Tuk Jakovës), e merr fjalën Mehmet Shehu për të vënë në dijeni plenumin se natën e kaluar u gjend e vendosur në muret rrethuese të Ambasadës Sovjetike një bombë dhe për çudinë e të gjithëve, por në radhë të parë dhe sidomos për çudinë time (se të them të vërtetën një gjë t‘atillë nuk e prisnja dhe nuk mund të më kalonte nga mendja) i drejtohet pleniumit me një ton të egër, me një ton që n‘atë çast m‘u duk si i një egërsire, dhe thotë fjalë për fjalë: “Manol Konomi nuk është dakord që të ekzekutohen 40 veta”. Ishte fjala që të vriteshin 40 veta të pafajshëm, pa gjyq, ishte fjala për një akt terrorist shtetëror. Është e pamundur të përshkruaj efektin e kësaj “bombe” të dytë që hodhi Mehmet Shehu në mes të plenumit, është shumë e vështirë të përshkruaj gjendjen time shpirtërore. Një gjë mbaj mend, që për disa sekonda m‘errën sytë. Të gjithë heshtnin, heshti dhe sekretari i përgjithshëm i partisë Enver Hoxha. (Ky një taktikë kish ndjekur gjithnjë: ose të heshte, ose të hidhej në sulm, kur do ta ndjente veten të sigurt. Ndodhnin në vitet 1950-1951, kur ai nuk kishte pozita të forta, kur ai ia kishte frikën Mehmet Shehut dhe poshtë do të tregoj disa raste që vërtetojnë këtë tezë). Por, pata forcën morale të përqëndroj vehten dhe u përgjigja aty për aty: “Nuk është puna për 40 ose për 100 veta, çështja është të zbulohen dhe të dënohen fajtorët”. N‘ato momente nuk më kishte shkuar ndërmend se fajtorët e vërtetë ndodheshin aty, në plenium dhe unë kisha kërkuar zbulimin e dënimin e tyre. Mehmet Shehu u tërbua me përgjigjen time dhe menjëherë, sikur të ishte i parapërgatitur, më cilësoi si “dezertor e kapitulant”. Ai nuk u kënaq me kaq. Ai kërkonte diçka më tepër: arrestimin dhe dënimin tim. Dhe përsëri duke iu drejtuar plenumit ai thotë: “Këto qëndrime i kam dënuar me vdekje gjatë luftës…” Pse unë nuk pata këto pasoja edhe sot e kësaj dite nuk e di. Kjo për mua mbetet një enigmë, siç mbetet një enigmë qëndrimi i Kadri Hazbiut kur u shtrua në plenium përjashtimi im nga Komiteti Qëndror dhe nga Ministria e Drejtësisë. (Vetëm Bedri Spahiu u shpejtua të marrë fjalën: “Manol Konomi absolutisht (e zgjati shumë këtë fjalë) nuk mund të mbetet ministër i drejtësisë”). Ky ishte i vetmi q‘u ngrit dhe propozoi të mbetem si ministër. Cili ishte qëllimi i tij? Këtu mund të ngrihen shumë hipoteza: duke u nisur nga pozita ime, mos vallë ai synonte që të evitonte çdo bujë ose mos vallë kërkonte që të neutralizonte qëndrimet e mia në lidhje me dorëheqjen, për shkak të ndjekjeve, arrestimeve arbitrare, internimeve në masë q‘i kisha paraqitur Enver Hoxhës dhe që ai mund të ishte në dijeni ose në lidhje me dekretin famëkeq? Këto janë, siç thashë hipoteza.

Cili ka qenë qëndrimi i Enver Hoxhës ndaj fjalës dhe propozimit të Mehmet Shehut? Të gjithë anëtarët e pleniumit prisnin verdiktin e tij dhe ai nuk vonoi ta shpallë: “Manol Konomi është trembur përpara presionit të borgjezisë dhe ka kërkuar dorëheqje disa herë”. Këto ishin fjalët e tij dhe kaq mjaftonte. Ai nuk pati burrërinë – atij i ka munguar gjithnjë burrëria; ajo është virtuti më i lartë i njeriut që lidhet me karakterin e tij, me konceptet dhe parimet që e udhëheqin në jetë, që lidhet me forcën morale që fsheh brenda tij – nuk pati guximin të thotë dhe të tregojë shkaqet dhe arsyet që unë dhashë dorëheqjen, por përdori armën e njohur, “presioni i borgjezisë”. Sa herë e përdori këtë armë Enver Hoxha në jetën e tij si udhëheqës i shtetit dhe i partisë?!

Tani le të kthehemi te bomba q‘u bë shkak që të ekzekutohen 29 veta (ky vallë është numri i saktë?), q‘u bë shkak i fatkeqësive të aq e kaq familjeve të pafajshme siç ishin të pafajshëm edhe njerëzit e tyre q‘u vranë.

Bomba s‘ka asnjë dyshim u vendos nga vetë organet e sigurimit, madje dhe me pëlqimin e atyre që qëndronin n‘atë kohë në krye të Partisë dhe të Shtetit. Vendosja e kësaj bombe kishte për qëllim arritjen e disa objektivave të caktuara dhe këto objektiva dilnin jashtë sferës dhe kompetencave të sigurimit të shtetit. Me pak fjalë ato objektiva mund të përmblidheshin në këto: të vazhdonte fushata për eliminimin e intelektualëve që etiketoheshin si “armiq” por që në të vërtetë ishin intelektualë të vërtetë, demokratë e përparimtarë, të pastrohej shtresa e intelektualëve nga “barërat e këqinj” të jepej një provë e gjallë se në Shqipërinë socialiste zbatohej lufta e klasave dhe ashpërsimi i saj, të krijohej klima e përshtatshme për plenumin në fjalë. Duhej krijimi i një atmosfere për të përgatitur terrenin dhe ??? një shkak për të marrë vendimet, për të goditur ata q‘u goditën në këtë plenum.

Përse u desh të dilte një dekret për gjykimin e akteve terroriste përpara që bomba të vendosej në ambasadën sovjetike? Nuk del nga kjo se ndodhemi përpara një plani të papapërgatitur? U parashikua se bomba do të vendosej në muret e ambasadës sovjetike? Po. Kjo mund të parashikohej vetëm nga ata që ishin autorët e këtij plani satanik!

Përse kjo bombë u vendos gjatë zhvillimit të punimeve të plenumit? Mos kemi të bëjmë me një koinçidencë të thjeshtë? Po t‘ishte kështu si zhustifikohet atëhere qëndrimi i Mehmet Shehut, ministër i brendshëm ndaj ministrit të drejtësisë, Manol Konomit? Përse iu drejtua atij dhe si e dinte që më parë se M.K. nuk ishte për vrasjen e 40 vetave? Këtyre pyetjeve mund t‘u përgjigjen vetëm ata që vunë në skenë vendosjen e kësaj bombe për të vrarë njerëz të pafajshëm, për të zbatuar një regjim terrori, për të bërë të heshtë çdo përparimtar. Megjithatë kjo nuk u hoqi të tjerëve të drejtën të nxjerrin konkluzionet e tyre. Kjo nuk ndaloi njeriun e thjeshtë të kuptojë të vërtetën (dhe bash besoj se në të vërtetë ata u trembën më shumë).

Pas disa vjetësh dolli personi që vuri bombën në muret e ambasadës. Si dolli dhe si u zbulua ky person që pranoi fajin e tij nuk dihet ose më mirë nuk dihej në atë kohë. Ky person që shkaktoi derdhjen e gjakut të 29 ose më shumë personave të pafajshëm, që shkaktoi mjerimin dhe fatkeqësitë e familjeve të tyre, nuk e di sa vjetë u dënua (sigurisht as me vdekje, as me 25 vjet burgim) dhe nuk e di nëse e kreu dënimin plotësisht ose u lirua parakohe, nuk e di nëse sot është i gjallë ose i vdekur. E tërë kjo histori u vu në skenë nga organet e sigurimit, për të qenë më luajalë nga ata që ishin mandantet e vendosjes së bombës, për të zhdukur çdo gjurmë, për të përligjur teprimet e tyre, për të fshirë atë që e dinte me kohë populli: bomba është vendosur nga sigurimi vetë.

Se si, e kam marrë vesh shumë vonë dhe sipas rrëfimit të njërit nga 5-6 udhëheqësve të asaj kohe, të min të punëve të brendshme. Kjo bombë është vendosur nga një diversant nga fshatrat e Krujës, i cili kishte hyrë në shërbim dhe bashkëpunonte me sigurimin. Për të zhdukur çdo gjurmë – kjo ishte në praktikën e organeve të sigurimit – ky person u vra një natë kur shkonte nga një bazë në tjetrën (gjë që e dinte sigurimi) nga njerëz të sigurimit të cilët nuk kishin dijeni për vendosjen nga ana e tij të bombës, por q‘u ishte paraqitur si njeri tepër i rrezikshëm dhe duhej të vritej, porsa të dilte nga shtëpia.

Epillogu. – Pleniumi vendosi përjashtimin tim nga Komiteti Qëndror dhe shkarkimin nga detyra e ministrit të drejtësisë. Arrestohen 29 (ose më shumë) veta dhe pa bërë asnjë hetim dhe pa u gjykuar ekzekutohen. Fillojnë ndjekjet dhe persekutimet kundra familjeve të këtyre viktimave të pafajshëm. Dekreti mbi gjykimin e akteve terroriste miratohet. Ky dekret shërbeu si bazë për gjykimin dhe dënimin e këtyre njerëzve…

Tani që po shkruaj këto rreshta i bëj vehtes një pyetje: A ishte njerëzisht e mundshme që të bëja diçka më tepër për ta, viktima të një terrori të egër shtetëror?
Kush është Manol Konomi
Manol Konomi ka lindur në Poliçan të Gjirokastrës në vitin 1910. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Janinë e Korfuz, ndërsa studimet e larta për drejtësi në Francë. Merr pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe në mbledhjen e Beratit, në vitin 1944 emërohet ministër i Drejtësisë. Pas studimeve qëndroi një periudhë pa punë për shkak të bindjeve të tij në kundërshtim me regjimin. Në fund të viteve ‘30 e deri në vitin 1942 punon si prokuror në Peshkopi e Korçë derisa internohet në Porto Romano. Këtë detyrë e kreu deri në vitin 1951, kur shkarkohet për kundërshtitë e tij ndaj pushkatimeve pa gjyq të njerëzve të pafajshëm, me rastin e bombës në ambasadën sovjetike. Në vitet 1947-1951 ka qenë edhe kryetar i Institutit të Studimeve, sot Akademia e Shkencave. Më tej punoi si jurist në Presidiumin e Kuvendit Popullor derisa doli në pension. Pas ndërrimit të sistemit, në vitet 1992-1997, është anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ndërroi jetë në vitin 2002.J.J