Katër gra arbëreshe, me dashuri dhe profesionalizëm, i kanë dhënë jetë një vepre unike duke paraqitur në mënyrë të plotë dhe universale botën arbëreshe, midis traditës, trashëgimisë dhe aktualitetit.

“La Donna Arbëreshe Ieri, Oggi, Domani…tra sacro e profano” ( Gruaja arbëreshe Dje, Sot, Nesër … mes shenjtëve dhe profanëve) titullohet libri i autoreve Emilia Blaiotta, Lucia Martino, Flavia D’Agostino dhe Lucrezia Lindia.

Gazetarja Adela Kolea në parathënien e librit shprehet se “ky vëllim do të bëhet një burim informacioni i pasur mbi universin e gruas arbëreshe në Itali, Shqipëri dhe të gjithë ata që janë të interesuar në botë”.

Sipas saj, ky libër duhet të konsiderohet një pasuri e vërtetë, pasi ato që kanë kontribuar në realizimin e këtij vëllimi janë të gjitha gratë arbëreshe të nxitura nga dashuria për traditat e tyre dhe për të gjithë trashëgiminë kulturore të trashëguar nga paraardhësit e tyre, me qëllim të lënë një përshtypje e pashlyeshme edhe për gjeneratat e ardhshme.

“Në faqet e këtij libri, përmes një përpjekjeje kolektive, ato kanë treguar me mjeshtri, secila sipas njohurive dhe aftësive të tyre, si në një kanavacë të qëndisur me fije të ndryshme ngjyrash dhe nuancash, një motiv të vetëm: kolazhi tradicional dhe autentik të Arbërisë së tyre të dashur!”, nënvizon Kolea.

Një sërë përshkrimesh, informacionesh dhe materialesh që promovojnë diversitetin gjuhësor, recetat dhe shijet, imazhet, traditat, fetë, folklorin, mbulojnë faqet e librit dhe janë të lidhura me një urë të përbashkët që fillon nga Shqipëria që nga kohërat e lashta dhe e rilidh atë me Italinë në një identitet, atë të arbëreshës.

Është një vëllim, i pari dhe i vetëm i këtij lloji që mbledh si në një enciklopedi të vërtetë, shumë elementë që kalojnë nëpër universin femëror arbëresh.

Duke u ndalur në gruan arbëreshe, nëna e familjes arbëreshe, nuk mund të lësh pa përmendur gjuhën arbëreshë, traditat, kulturën, gastronominë, veshjet të trashëguara brez pas brezi.

Pra, misioni i gruas arbëreshe në jetën reale, rëndësia e saj në jetën familjare dhe shoqërore është risjellë me shumë dashuri dhe në të njëjtën kohë me shumë profesionalizëm.

Libri është një laborator i vërtetë i krijuar nga gratë arbëreshe që kanë bashkuar potencialin, njohuritë, veçoritë e tyre – duke rezervuar një mënyrë të veçantë dhe të vazhdueshme për ruajtjen e gjuhës arbëreshë gjatë shekujve, fesë dhe ritet festive fetare që bien në stinët përkatëse të vitit – të shoqëruara me këngë, ushqim dhe receta të festave, duke ofruar njohuri 360 gradë në sferën e jetës femërore të arbëreshej.j