Nga Bedri Islami/

Fotografia e mësipërme është bërë 57 vite më parë. Me 8 qershor të vitit 1961. Është një foto jo e zakonshme e një familje të lumtur. Ndoshta, si shumë të tjera në atë kapërcyell të vitit 1961, i cili nuk kishte ardhur i zakonshëm dhe, me siguri që do të kishte një vend të pazakontë.

Në fakt është fotoja e fundit e një familje, e cila, saktësisht, një muaj e një ditë më pas, do të shprishej, do të shpërngulej nëpër natë nga qyteti ku jetonte për të shkuar drejt njërës vendlindje –Shkodrës. Vendlindja tjetër ishte një fshat pak i njohur, quhej Dedaj Shkrel, ishte në afërsi të qytetit të Pukës dhe kishte një veçori: shumë nga nxënësit e shkollës plotore të Migjenit ishin nga ky fshat.

Fillimisht kam menduar se ishte njëra nga fotot që bënim në ditëlindjen e tim ati; ai kishte lindur në 8 qershor të vitit 1925, pra, kisha menduar se ishte një foto në 36 vjetorin e lindjes së tij. Më pas, mësova se asaj dite kishte qenë në shtëpi nj ekip i redaksisë së revistës “Shqipëria sot”, një revistë e kohës, e cila botohej edhe në disa gjuhë të huaja, dhe sëbashku me fotografitë, ishte botuar edhe shkrimi “Takim me heroin”, i gazetarit të njohur të kohës, Ibrahim Çavolli, të cilin, për njërën nga rastësitë e kohës, më vonë, e kam pasur shefin tim në gazetë.

Një muaj e një ditë më pas, heroi i revistës, nuk ishte më. I mbështjellë me një jorgan të vjetër, në një arkmort të dërrastë, trupi i tij, mbi një makinë policia shkonte drejt pushimit të fundit të tij, ndërsa ne, katër t tjerët, në një Gaz të vjetër, mbështjellë pranë njëri tjetrit, në një udhëtim nëpër natë dhe me enigmën e pashoqe të së nesërmes.

E kam parë me dhjetra e ndoshta me qindra herë këtë fotografi. Jo thjeshtë se është familja ime, e plotë, si ishte dikur, megjithëse edhe kështu do të ishte normale, e qenësishme dhe, pse jo, e bukur, trishtuese dhe e brishtë si një ëndërr.

Nuk e kam parë thjeshtë për të hequr mallin. Malli është njerëzor, por mund të jetë edhe vrasës. Më tepër se gjithçka tjetër kam parë portretin e një burri, asaj dite 36-vjeçar, që kishte pasur aq shumë ëndrra, të cilat shpesh herë ja kishin shkërmoqur gjumin e brishtë dhe që, një ditë e një muaj më pas, do të ikte përmes një enigme dhe disa plumbave, njëri nga të cilët, në anën e majtë të ballit kishte qenë më i dukshmi, por nuk kishte qenë i pari.

E kam parë me vëmendje për të ditur, si të thuash, për të zbuluar në sytë e tij se kur kishte filluar shprishja e ëndrrës, kur ajo kishte nisur të shembej, por, të jem i drejtë, nuk e kisha gjetur.

Më pas, si ndodh me njeriun që kërkon enigmën e njeriut të afërt të tij, e kisha parë për të ditur nëse kishte pasur thyerje nga jeta, atë thyerje të ngadalshme që shemb një burrë, e përsëri, nuk e kisha gjetur. Ky njeri e kishte dashur jetën fuqishëm, sa mund ta dojë një malësor i shkolluar në njërin nga Universitetet më të njohura të Moskës dhe që dikur kishte menduar se pika më e lartë e jetës së tij do të mund të ishte Shkodra, nga vinte edhe mësuesi i tij.

Nëse të dytën, dëshirën për jetën, mungesën e saj, nuk e kisha hetuar kurrë, atë tjetrën, thyerjen, dyshimin, brengën, do e vëreja më pas.

I pari që do e bënte këtë do të ishte Enver Hoxha. Njeriu i hekurt kishte folur në njërën nga mbledhjet e Sekretariatit të KQ dhe kishte thënë dy gjëra që më kishin bërë të mendohesha përtej vetes: ai kishte folur e m pas kishte dërguar një Qarkore, në të gjithë Komitetet e Partisë së rretheve, në të cilën unë do të ngulesha në ato dy gjërat që thashë më sipër: “Akuzat ndaj Zenel Islamit janë shpifje”. Do të kishte mjaftuar kjo për të qetësuar këdo. Ata që nuk e njohin atë kohë nuk mund të përfytyrojnë se si gjithçka mund të lidhej me një pohim ose mohim të vogël, qoftë edhe me kokë, që bënte shefi i shtetit.

Tjetra kishte qenë zbërthyese dhe tronditëse. Në qarkoren e tij, krejt në fund, Enver Hoxha do të dënonte shefin e sigurimit të Pukës dhe sekretarin e dytë. Z.G. një komunist i vjetër, që çuditërisht kishte qenë ndër miqtë më të afërt të Naim Gjylbegut se, pa vënë në dijeni dhe pa marrë leje nga Byroja Politike kishin vënë në përpunim dhe kishin përgatitur dosje për sekretarin e parë të Komitetit të Partisë, Z.I.

Unë e përfytyrova atë njeri, asaj kohe 25 vjeçar, prej disa viteve drejtues kryesor në një rreth të vështirë malor, që, duke pasur në ëndrrën e tij komunizmin dhe lirinë, papritur e kishte gjetur veten nën dramën e ndjekjes. E pohuar kjo zyrtarisht nga E.H. , për më tepër në një qarkore politike, e për më shumë fill pas goditjes së Koxi Xoxes, i cili më shumë ishte dënuar se kishte vënë partinë nën sigurimin e shtetit , se sa për lidhjet e veçanta me jugosllavët, ku ishin lidhur shumica dhe të palidhurit nuk ishin më në jetë. E përfytyroja edhe njeriun që kishte dhënë leje për të ngritur atë përgjim, si i thonin asaj kohe: përpunim, drejtues i lartë në Ministrinë e Brendshme, i cili, jo rastësisht do të gjendej edhe në çastin fatal të ditë-natës së fundit të tim ati, dhe që më pas, turpërisht, shumë vite m vonë, kishte tradhtuar edhe vëllain e tij.

Në veriun dhe në jugun e Shqipërisë kishte pasur shumë të tillë: ëndërrimtarë, të frymëzuar nga idea e lirisë dhe e një jete ndryshe, të cilët ishin bërë zëdhënës dhe dalzotës të një jete që të grishte, dhe që papritur, kishin ndjerë honin para vetes. Arif Gashi, njeriu i parë pas luftës në tropojë, 20 vjeçar, fisnik dhe i ditur, nga një fis i nderuar si ai i Gashëve; Beqir Ndreu kishte qenë një tjetër, po ashtu një mendje e shquar, që ishte lodhur më shpejt se të tjerët në qëndresën e tij dhe që e kishin “hequr” përmes një trillimi politik.

Më kanë pyetur shpesh herë, së fundit edhe në një emision TV, nëse Zeneli, pra, im atë, kishte qenë armik i regjimit. E kam mohuar gjithnjë. Në vitin 1961 ai mund të ishte i thyer, por jo kundërvënës. Kam bërë të njohura dy letra të tij, të ndodhura në arkivin e shtetit, të cilat i ka zbuluar gazetari Dashnor Kaloçi, përmes të cilave, duke i shkruar Enver Hoxhës, denoncon krimet e Sigurimit të Shtetit në Pukë, sidomos në Iballe, duke vënë edhe emrat e atyre që ishin përlyer keqas. Por, duhet të jem i drejtë, armik nuk ishte. Ai ende e besonte kohën e tij, pasi edhe kishte qenë pjesë, sado e vogël, e sjelljes së kësaj kohe.

Ky ishte një brez ëndërrimtar, i pashoq në ëndrrën e tij, i cili kishte pasur moto “Më shumë bukë, më shumë kulturë”, që kur bënte ndarjen e sasisë së gozhdëve që kishin shkuar në rrethin e tyre, së parë mendonin për shkollat dhe shtëpitë e djegura nga lufta. Ishte një brez që, në pak kohë, krejt pak kohë, hapi më shumë shkolla se sa furra buke, e pastaj hapi më shumë furra buke se sa ndërtoi rrugë, e në fund, aq sa mundi ndërtoi edhe rrugët.

Ky ishte një brez që bëri moto të tij një këngë “ hajt të punojmë, djersët le të kullojnë, se ndërtojmë, Shqipërinë e re”.

Shqipërinë nuk e ndërtuan , si thuhet shpesh e më shpesh, vetëm të burgosurit politikë. Ata , në krahasim me dhjetra mijra të tjerë, ishin një pjesëz, që, megjithëse nuk duhet të ishin të gjithë aty, përsëri nuk ishin të vetëm.

Ishte një brez, që, ashtu me nxit, pa e ditur mirë dhe pa menduar se është koha e lodhjes, në pak vite, ngriti aq shumë shkolla, ta zëmë në Mirditë, sa nuk kishte pasur disa vite më parë tre qarqe bashkë. Shkodra, Lezha e Mirdita.

Këtë brez e vranë dy palë: banditët që nuk donin një gjendje të re, pra nuk donin më shumë shkolla, sepse si ishte gjendja e bukës e dimë nga Migjeni, që nuk donin të kishte një frymëmarrje ndryshe. Kjo nuk është kohë e largët.

E vranë edhe “ të vetët”, nga brenda. Jo vetëm zilia, inati, mëria, shpirti, damkosja, humbja e njerëzores dhe shpallja e antinjerëzores si vlerë, por edhe vetë sistemi.

E vranë këtë brez edhe në dy kohë: herën e parë kur nuk i ngritën dot ëndrrat e tyre, kur gradualisht e panë se vizioni i tyre për një Shqipëri ndryshe, për një kohë ndryshe, nuk ishte i njëjtë me ëndrrën.

I vrau edhe koha e sotme. Kanë mbetur pak, shumë pak. Disa mund t’i thonë nostalgjikë, enveristë, të humbur, të shkalluar.

Pashë para disa javëve një ish deputet të PD-së, më dukej se quhej Babasi, që ngrinte dorën kundër tyre; lexova një ish deputet, që e la jashtë vetë partia e tij, që shkruante se i bënte mirë druri këtyre që kishin mbetur ende, se ai ishte me ato të drurit.

Një foto e bërë 57 vite më parë dëshmon se si mund të ndërpritet një jetë, por edhe se si mund të rrish në jetë, edhe pse nuk je mes të gjallëve.