“Dyshoja se bashkëshortja më tradhtonte me pronarin e rrobaqepësisë ku punonte. Ky ishte shkaku, për të cilin nisi konflikti mbrëmjen e ngjarjes”.

Kështu është shprehur dje 42- vjeçari Çlirim Shaholli para togave të zeza për vrasjen e bashkëshortes së tij, Ardjana Shaholli, para se Gjykata të vendoste masën e sigurisë me burg pa afat ndaj tij, raporton Panorama.

Babai i gjashtë fëmijëve ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa ka shprehur pendesë për veprimin e rëndë.

“Kishim konflikte të herëpashershme. Përplaseshim verbalisht gjithmonë.

Atë mbrëmje u konfliktuar, pasi unë dyshoja se më tradhtonte me pronarin e rrobaqepësisë ku punonte.

I thashë të ishte e sinqertë dhe të më tregonte. I kërkova të më thoshte të vërtetën.

Aty situata u përkeqësua.

Nisëm të debatonim. Ajo me kërkonte llogari përse nuk punoja.

Më ofendoi duke më thënë se je i padobishëm. Aty m’u errësuan sytë dhe u kapëm fytazi të dy.

Ajo më shtyu mua dhe unë e shtyva atë. Ra në tokë.

E kapa prej flokësh dhe ia përplasa pesë-gjashtë herë kokën në çimento, derisa ra pa ndjenja.

Unë nuk kisha për qëllim ta vrisja, thjesht isha shumë i ofenduar dhe shumë xheloz.

Jam penduar thellësisht për veprimin e gabuar. U kërkoj ndjesë të gjithëve.

Në radhë të parë, Anës, që i mora jetën dhe në radhë të dytë fëmijëve të mi, që i lashë jetimë dhe në mes të katër rrugëve.

Nuk di çfarë të them, jam thellësisht i penduar për veprimin tim të pafalshëm dhe fatal”, deklaroi para togave të zeza Çlirim Shaholli, autori i krimit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

Ai nuk kërkoi mëshirë, ndërsa i bëri thirrje trupit gjykues të zbatonte ligjin.

“Pranoj çdo vendim dhe masë që Gjykata do marrë. Unë gabova dhe duhet të ndëshkohem”, shtoi më tej autori i krimit që i mori jetën 40-vjeçares, nënë e gjashtë fëmijëve, më i vogli vetëm 1 vjeç.

Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën njëkatëshe të çiftit.