“Besojmë fuqimisht se në fund të këtij muaji Këshilli i Bashkimit Europian do t’i hapë një perspektivë të qartë Shqipërisë”.

Kështu deklaroi të hënën, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili iu përgjigj kërkesës së një grupi studentësh për zhvillimin e një interpelance me temë “Negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe perspektiva europiane e Shqipërisë”.

Pak ditë nga vendimi i rëndësishëm i Këshillit të Ministrave të BE-së për hapjen e negociatave për Shqipërinë, ministri Bushati foli për përfitimet nga ky proces dhe perspektivën europiane të vendit tonë.

Bushati theksoi se hapja e negociatave është një proces vendimtar për trajektoren e modernizimit të Shqipërisë.

Shqipëria, tha ai, është gati për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, pasi ka përmbushur të gjitha detyrimet për këtë fazë të procesit.

“Ne synojmë të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet me BE-në, që nuk do të mbyllet nesër, por do të ketë përpara sfida”, tha Bushati.

Ulja në tryezën e bisedimeve me vendet e BE-së, sipas Bushatit, është kartëvizita më e mirë për Shqipërinë.

Çelja e negociatave, Shqipëria përfiton për modernizimin e sektorëve ekonomikë

Duke folur për përfitimet e çeljes së negociatave, Bushati tha se, “në momentin që Shqipëria ulet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, nisin përgatitjet për të pasur të drejtën për fondet strukturore të BE-së”.

“Ne presim të kemi impakt shumë të madh në infrastrukturë, mjedis, bujqësi, si dhe në modernizimin e sektorëve ekonomikë të vendit”, tha Bushati, duke shtuar se një përfitim thelbësor do të kenë të rinjtë.

Bushati theksoi se “në samitin e fundit të Sofjes, samit dedikuar Ballkanit Perëndimor, u ra dakord të dyfishohet fondi për programet Erasmus dhe të nxitet lëvizshmëria e studentëve duke synuar ndërlidhjen e rajonit”.

Duke bërë një përmbledhje të ecurisë së projektit europian, Bushati tha se “raporti i KE-së në 17 prill, mori në shqyrtim gjithë progresin e Shqipërisë sa i takon reformave, veçanërisht sundimin e së drejtës në ekonomi”.

“Raporti arriti në përfundimin se duhet të çelen negociatat pa kushte. Raporti i KE-së është një raport teknik dhe nuk niset nga konsideratat politike mbi rolin e Shqipërisë në rajon apo më gjerë. Tanimë u takon vendeve anëtare për të marrë një vendim mbi bazën e këtij rekomandimi të pakushtëzuar”, tha Bushati.

Ai theksoi se “vendet anëtare do të mblidhen në formatin e Ministrave të Jashtëm në 25 qershor dhe në formatin e kryeministrave në 28 qershor, kur pritet edhe marrja e një vendimi”.

Bushati theksoi se “në vitin 2016, KE dha një rekomandim të kushtëzuar që e lidhi me zbatimin e Vetingut, ndërsa në 2018 arriti në përfundimin që Shqipëria është e gatshme për çeljen e negociatave”.

Ndërkohë vendet anëtare të BE-së, sipas Bushatit, “kanë një gjykim politik, pasi kanë edhe ekzigjenca të caktuara politike për shkak të ballafaqimeve elektorale”.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha vendet anëtare. Puna nuk ka ndalur sepse rekomandimi i KE-së kërkon nxitje dhe inkurajim të mëtejshëm sa i përket vijimit të reformave”, tha Bushati.

Krijuam besueshmëri në procesin e Vetingut

Vetingu në drejtësi, sipas Bushatit, po fakton se e gjithë hierarkia e lartë në drejtësi është një një sitë mjaft të imët.

“Ne kemi dëshmuar besueshmëri të plotë në këtë proces se po arrijmë pikën e moskthimit pas”, tha Bushati.

Sipas tij, “ligji po zbatohet njëlloj për të gjithë”. “Ky është një ndër kontributet kryesore që ne po japim sa i takon procesit të modernizimit dhe reformimit të shoqërisë shqiptare”, tha ministri.

Po ashtu, edhe në kuadër të luftës kundër korrupsionit, Bushati theksoi se raporti i KE-së e rendit Shqipërinë qartësisht në grupin e vendeve me rezultate në këtë fushë.

Sa i takon lirisë së medias, Bushati tha se, Shqipëria shënon hapa para në raport me vitin 2016, por edhe me të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Për të ardhur keq që opozita ka vendosur bast kundër integrimit

“Nuk besoj se ka forca politike që e kundërshtojnë projektin europian, por ka aktorë politikë që nuk kanë lënë gjë pa bërë për ta kundërshtuar zbatimin e reformës në drejtësi”, tha Bushati.

Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se “vendimmarrja e BE-së nuk është as për qeverinë dhe as për Ramën”.

“Është për të ardhur keq që opozita shqiptare ka vendosur një bast dhe ka një ton ultimativ a thua se në 28 qershor merr fund çdo gjë dhe në 29 qershor nuk lind më dielli në Shqipëri”, tha Bushati.

Sipas tij, “ky është një proces që prek të gjithë shqiptarët, ndaj është për të ardhur keq që opozita po përjashtohet nga kontributi që forcat politike kanë në këtë proces”.

ERTV Live😊: INTERPELANCË E TË RINJVE ME MINISTRIN PËR EUROPËN DHE PUNËT E JASHTME – Pak ditë nga takimi i rëndësishëm i ministrave të Jashtëm të BE-së, prej të cilit Shqipëria pret vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim, përfitimet nga ky proces dhe perspektivën europiane të vendit tonë.Bëhuni pjesë e bashkëqeverisjes duke u regjistruar nëwww.shqiperiaqeduam.al, ku çdo organizatë apo grupim individësh, në bazë të rregullave të shpallura në platformë sipas procedurës parlamentare të interpelancave, mund të thërrasë në interpelancë kryeministrin dhe çdo ministër.

Gepostet von Edi Rama am Montag, 11. Juni 2018