Gjatë ditës së sotme, FIFA ka konfirmuar arbitrat e përzgjedhur për dy sfidat gjysmëfinale të Botërorit, Francë-Belgjikë dhe Angli-Kroaci.

Uruguaiani, Andres Kunja do të jetë gjyqtari kryesor i gjysmëfinales së parë midis Francës dhe Belgjikës, e programuar të luhet nesër, më 10 korrik, ora 20:00, në stadiumin e Shën-Petersburg. Kunja do të jetë i shoqëruar nga asistentët Nikolas Taran, Mauricio Espinoza dhe arbitri i katërt, Çezar Ramos.

Për sfidën e dytë gjysmëfinale midis Anglisë dhe Kroacisë, detyra e gjyqtarit kryesor të takimit, i është dhënë turkut Çunejt Çakir, i shoqëruar nga asistentët Bahatin Duran dhe Tarik Ongun si gjyqtarë ndihmës. Arbitri i katërt do të jetë holandezi Bjorn Kuipers.

Tashmë është pothuajse e qartë. Italiani Xhanluka Roki, serbi Milorad Maziç, apo iraniani Alireza Fagani, do të ‘synojnë’ të jenë ata të cilët do të gjykojnë finalen e madhe të 15 korrikut në stadiumin “Luzhniki”, ku do të mbyllet sipari i një Botërori plot surpriza dhe të papritura. Një përgjegjësi e madhe, por secili prej tyre do të donte të ishte një protagonist në evenimentin më të madh të vitit.