Shtetet e Bashkuara thonë se zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët dhe të jetë në duart e tyre.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit thekson se “SHBA-ja është e gatshme t’i dëgjojë dhe t’i ndihmojë palët në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët”.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për qëndrueshmërinë rajonale.

Normalizimi po ashtu do t’iu hapte rrugë të qartë të dyja vendeve drejt anëtarësimit eventual në Bashkimin Evropian.

Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës.

Tani është koha që palët të jenë kreative dhe fleksibile”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Ajo vjen si përgjigje pas sugjerimeve të fundit se zgjidhja e mundshme e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi mund të arrihet me shkëmbim territoresh në vija etnike.

Presidentët e të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, e kanë hedhur idenë – i pari për korrigjim kufijsh, ndërsa tjetri për ndarje territoriale.