Brenda viti Qarku i Kukësit mund të bëhet me dy koncesione në fushën e transporteve. Pas mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, do te jetë vënia në operim e aeroportit të Kukësit, e cila pritet të transferohet në duart e privatit.

Qeveria ka miratuar një bonus për propozimin e pakërkuar për bashkimi të shoqërive “Kastrati”, & “T.M.D Systems LTD. Gara do të jetë e hapur dhe për kompani të tjera që duhet të japin ofertat e tyre mbi këtë propozim dhe vlerësimet do të bëhen nga ministria e Infrastrukturës.

Por kush janë pikat kryesore të propozimit? Burime thanë për Top Channel, se investimi në total shkon në rreth 6,8 milionë euro dhe me këto para do të bëhet zgjatja, zmadhimi i ndërtesës së terminalit, ndërtimi i zonave të magazinimit dhe parkimit, ngritja e një pike karburanti për avionë dhe blerja e pajisjeve aeroportuale.

Shoqëritë që kërkojnë koncesionin kanë studiuar trafikun e udhëtarëve në zonat veriore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, me fokus të veçantë emigrantët që vijnë nga këto zona.Aeroporti do të ketë qëllim të funksionojë si aeroport për transportuesit me kosto të ulët duke qenë se për nga infrastruktura, thjeshtësia dhe teknologjia e tij, ai përshtatet në mënyrë të përsosur modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët.

Dhe pikërisht tipet e avionëve që përdorin këto kompani, Airbus 319, 320 ose Boeing737 kërkojnë ndërhyrjet në pistë, e cila duhet të jetë e gjatë mbi 2100 metra.Aeroporti do të jetë funksional ditën dhe natën, për këtë do të ndërhyhet në dritat e pistës. Po ashtu, do të bëhet zgjerimi i terminalit. Nga 600 m2 që është aktualisht në 3.800 m2, duke mundësuar akomodimin e 200 udhëtarëve në nisje, 200 në mbërritje dhe 100 personave që presin dhe përcjellin udhëtarët.

Aeroporti i Kukësit ka përfunduar së ndërtuari në 2005, por deri më sot rrotat e asnjë aeroplani nuk kanë prekur pistën e tij. Drita jeshile operimit iu hap pas ndryshimit në 2016 të marrëveshjes koncesionare për aeroportin e Rinasit, e cila nuk lejonte që të bëheshin fluturime ndërkombëtare nga aeroportet e tjera të Shqipërisë./TCH/j.j