Bizneset në zonat turistike që do të përmirësojnë vet deklarimet në mënyrë vullnetare për qarkullimin dhe pagesën e TVSH-së nuk do të jenë objekt i kontrolleve të plota në vend, i vizitave fiskale, i monitorimit të xhiros së realizuar apo kontrolleve nga zyra.

Në kuadër të zbatimit të planit të masave për sezonin turistik, administrata tatimore, synon të nxisë tatimpaguesit, që operojnë në këto zona, në të gjithë vendin, të përmbushin vullnetarisht detyrimet tatimore.

DPT apeloi tatimpaguesit të përmirësojnë vet deklarimin e qarkullimit dhe të pagesës së TVSH-së për të gjithë muajt e sezonit turistik, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Tatimpaguesit, të cilët do të reagojnë pozitivisht ndaj kësaj ftese të administratës tatimore, që me deklaratën e TVSH-së së periudhës tatimore maj 2018 dhe në vijim gjatë muajve të tjerë të sezonit, nuk do të jenë objekt i kontrolleve të plota në vend, i vizitave fiskale, i monitorimit të xhiros së realizuar apo i kontrolleve nga zyra”, njoftoi DPT.

Objekt i kontrolleve të plota në vend, i vizitave fiskale, i monitorimit në vend i xhiros së realizuar apo i kontrolleve nga zyra do të jenë vetëm tatimpaguesit, të cilët nuk përmirësojnë në nivele të pranueshme vet deklarimin e tyre për xhiron dhe për TVSH-në e pagueshme për të gjithë muajt e sezonit turistik.j.j