Drejtësia pas reformës/ Ja si do gjurmohen paratë e fshehura jashtë

0

Gjurmimi dhe identifikimi i parave dhe pasurive të paluajtshme, të fshehura jashtë vendit, nga radhët e zyrtarëve të niveleve të ndryshme apo njerëzit e botës së krimit, do të jetë një nga sfidat kryesore për institucionet e reja anti-korrupsion, që do të ngrihen në vjeshtë (Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Speciale).

Emrat e pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve shqiptarë, shumat e parave të fshehura në parajsa fiskale dhe mënyra e kamuflimit të pasurive të paligjshme, vijon të mbetet e mbuluar nga një mjegull misteri. Megjithatë, ligjit për ngritjen e institucioneve të reja anti-korrupsion synon që ta adresojë këtë fenomen, me anë të disa parashikime konkrete.

Për këtë qëllim, ligji për SPAK parashikon ngritjen e dy sektorëve të posaçëm për gjurmimin dhe hetimin e pasurive të personave nën hetimin, Sektorin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta dhe Sektorin e Hetimit Financiar.

Ekipet e përbashkëta hetimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian do të kenë në fokus rreth 20 vepra penale të korrupsionit, të cilat janë në kompetencë të Prokurorisë Speciale dhe Byrosë së Hetimit. Ky sektor do të caktojë anëtarë shqiptarë në strukturat e përbashkëta hetimore, të krijuara në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare ose në bazë të një marrëveshje për një rast konkret, me qëllim hetimin, ndjekjen penale apo përfaqësimin në gjyq të veprave penale të parashikuara nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale, në një ose më shumë shtete të tjera.

Ekipet e përbashkëta hetimore do të bazohen në konventat ndërkombëtare, konkretisht, në nenin 13 të Konventës së Bashkimit Evropian për Ndihmën e Ndërsjelltë Ligjore si dhe në nenin 19 të Konventës së OKB-së, kundër Krimit të Organizuar Transnacional (“Konventa e Palermos”). Ndërsa Sektori i Hetimit Financiar në Prokurorinë e Posaçme verifikon mjetet financiare dhe pasuritë e personave nën hetim dhe raporton rezultatet te prokurori i posaçëm kompetent.

Hetimet brenda vendit
Sa i takon pasurive brenda vendit, sipas ligjit, bankat e nivelit të dytë dhe subjektet e tjera që ushtrojnë aktivitete bankare dhe financiare janë të detyruara të japin informacion mbi depozitat, llogaritë dhe transaksionet e kryera nga personat që do të hetohen.

Institucionet e kontrollit do të kenë akses të pakufizuar në të dhënat mbi marrëdhënie të mundshme biznesi, veprimtari tregtare ose veprimtari të tjera profesionale si dhe në të dhënat që provojnë ekzistencën e parave fizike ose mjeteve apo instrumenteve të tjera të tregut të parasë dhe/ose të pagesave.

Institucionet që do të angazhohen
Për gjurmimin e parave të pista të fshehura në parajsat fiskale do të angazhohen, sipas rasteve, Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit, Seksioni i Hetimit Financiar pranë Prokurorisë së Posaçme, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe shërbimet informative, kryesisht Shërbimi Informativ Shtetëror. Institucionet do të asistohen me ekspertët të financave, llogaritarë, juristët, përkthyes si dhe nga hetues nga SHBA-BE, të cilët do të jenë pjesë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU