PD dhe LSI me sa duket janë të bindura se nuk mund të mundin Edi Ramën dhe tashmë kërkojnë të bëhen pjesë e qeverisë, duke krijuar një koalicion të madh.

Opozita kërkon përsëritjen e skenarit të 17 majit të vitit të shkuar, duke i bërë presion Ramës, me faktin se do të bojkotojnë zgjedhjet vendore, nëse nuk krijohet një koalicion i madh qeverisës.

Kjo gjë është shprehur nga deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj.

“Ja pse duhet një Qeveri Stabiliteti me bazë të gjerë. Reforma në drejtësi ka paralizuar disa institucione kushtetuese dhe po jep shenja të dukshme njëanshmërie.

Së dyti, mosndëshkimi i peshqve të mëdhenj që nga ministrat e deri te bosët e drogës, si rasti i Maminasit e i Toyota Yaris-is.

Së treti, varfëria ekstreme, ku rreth 50% e popullsisë jetojnë me nën 5$ për frymë në ditë si dhe rritja e pabarazisë sociale.

Së katërti, mungesa e investimeve të huaja serioze dhe tendenca në rritje e biznesit vendas për të investuar jashtë. Së pesti, përqendrimi i parasë publike te një grusht oligarkësh, duke deformuar rregullat e konkurrencës me skema e dyshimta si ajo e PPP-ve”, thotë ai.

Rrokaj kërcënon, duke thënë se nëse nuk krijohet një qeveri e tillë, atëherë zgjedhjet vendore janë të pamundura, gjë që do të thotë se opozita do t’i bojkotojë ato.

“Në këto kushte zgjedhjet vendore janë të pamundura. Ndaj mendoj se përgjegjësia kombëtare duhet të prevalojë mbi egoizmin politik partiak dhe se pa humbur kohë është e nevojshme krijimi i një Qeverie të Stabilitetit, e cila do të kishte për mision: Të përmirësonte ndjeshëm treguesit e mësipërm, do të përgatiste zgjedhje të pakontestuara, ku zgjedhjet vendore të bëheshin njëkohësisht me ato politike si dhe do të krijonte kushte reale të besueshme për çeljen e negociatave”, deklaroi Rrokaj.

Edhe PD ka kërkuar me anë të Tritan Shehut krijimin e një qeverie që përfshin edhe opozitën, ndryshe do të bojkotojnë zgjedhjet.

Duket e njëjta strategji si e një viti më parë, kur Lulzim Basha ngriti çadrën në Bulevard, për t’u bërë pjesë e qeverisë për pak muaj./TEMA