Festivali i Muzikës së Vjetër “Vox Baroque” organizon edicionin e 5-të, nga data 24 qershor deri në 8 korrik 2018 në qytetin e Korçës.

Edicioni i pestë i Festivalit të Muzikës së Vjetër “Vox Baroque”, sjell për herë të parë në Shqipëri “Quartetto di Cremona”, një nga kuartetet më në zë në arenën ndërkombëtare.

Performancë fantastike e instrumenteve origjinale Stradivari, do të zhvillohet tek “Hani i Pazarit”, në Pazarin e Vjetër të Korçës.

Festivali i Muzikës së Vjetër “Vox Baroque” i kushtohet tërësisht repertorit barok. Synimi i këtij festivali është të përhapë muzikën baroke të luajtur me instrumente origjinalë, në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe.

I konceptuar të ndikojë njëherësh në zhvillimin rajonal, nëpërmjet edukimit muzikor, por edhe të kthehet në një nxitës të politikave drejt zhvillimit të turizmit kulturor, duke kthyer vëmendjen dhe interesin në disa nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në edicionin e parë, ky festival solli risi në zhanrin e muzikës, duke trajtuar muzikën e vjetër dhe stilin barok në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, konsideruar si qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Edicioni i dytë u zhvillua në pesë nga qytetet më të rëndësishmet të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë si: Durrësi, Tirana, Berati, Vlora, në zonën turistike të Voskopojës, në kishën e Shën Nikollës.