Rruga Kuqan-Jagodinë-Bugjës-Muriqan, mjaft e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë në një nga zonat më prodhuese të qarkut të Elbasanit, do të financohet së shpejti nga qeveria.

Financimi i kësaj rruge ka qenë çështje kryesore e diskutuar në takimin e llogaridhënies së qeverisë në Njësinë Administrative Shirgjan.

Në kuadër të turit të llogaridhënies, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini bëri një përmbledhje të punës që është bërë në këtë njësi, si dhe foli për projektet në vijim.

Duke u ndalur te investimet e kryera për vitet 2015-2018, Sejdini tha se “… u bë për herë të parë, pas 20 vitesh, pastrimi i përroit të Llixhës që eleminon përmbytjet e tokave bujqësore”.

Sipërfaqja e ujitur, sipas Sejdinit është dyfishuar në krahasim me vitin 2015.

Po ashtu, sipas tij, u pastruan rreth 57 km kanale të para e të dyta ujitëse, ndërkohë që kjo punë evidentohet edhe më shumë po të krahasosh ndërhyrjet që janë bërë në vitet 1991-2015, kur janë pastruar vetëm 4 km kanale.

“Rikonstruktuam shkollën 9-vjeçare Kuqan; u riparua diga e rezervuarit të fshatit Kryezjarrth dhe u hap rruga e re në këtë fshat. Po ashtu u pastrua tërësisht kanali i Ferrasit me gjatësi 4.7 km”, – tha Sejdini.

Sejdini u ndal edhe te ndërhyrjet në infrastrukturën e brendshme rrugore të këtyre fshatrave, duke theksuar se “janë riparuar rreth 7.25 km rrugë komunale dhe 2.78 rrugë arash”.

Lidhur me prioritetet e investimeve për vitin 2018, Sejdini veçoi “asfaltimin e rrugës Kuqan-Jagodinë-Bugjës-Muriqan; pastrimin e kanalit ujitës Polis-Tudan që përmbyt tokat e fshatit Bathës e Kryezjarrth; riparimin e urës në fshatin Shirgjan me gjatësi 18 ml, si dhe ndriçimin e qendrës së Njësisë Administrative Shirgjan”.