Pesëdhjetë milionë euro menjëherë dhe ndërhyrje të tjera afatgjata për ta kthyer Milanin në Olimpin e klubeve europiane, ky është premtimi i fondit Elliott, pronari i ri i kuqezinjve që ka zbuluar planet nëpërmjet komunikate zyrtare.

“Elliott ka kënaqësinë jo vetëm të mbështesë klubin në këtë moment të vështirë, por edhe ta ndihmojë në arritjen e objektivave ambiciozë”, lexohet në komunikatë.

Fondi i Paul Singer ka prezantuar vizionin e tij: “Duam të krijojmë një stabilitet financiar me një menaxhim të shëndetshëm; të arrijmë një sukses afatgjatë dhe të sigurohemi që klubi të ketë kapitale të mjaftueshëm ; të ndjekim një model operativ të përballueshëm dhe që të respektojë normat e Fair Play-it”.

“Gjëja e parë që do të bëjmë, do të jetë të derdhim 50 milionë euro në arkat e klubit për të stabilizuar financat. Më pas do të kërkojmë të sjellim kapitale të tjerë për të financuar rritjen e Milan-it. Presim me padurim të ndërmarrim këtë sfidë të re me synimin për ta kthyer klubin në panteonin e skuadrave të mëdha të Europës”.