Nga Flogert Muça/ 

Dita e sotme ka prodhuar një ngjarje që më së paku ishte e shëmtuar. Një grup militantësh të Partisë Demokratike kanë rrahur disa të moshuar të cilët mbanin në duar foto të ish-diktatorit Hoxha, teksa kryenin homazhe me rastin e ditës së Dëshmorëve të Atdheut. Nuk kishte gjë më të shëmtuar sesa të shihje se si rriheshin me hunj ca të moshuar. Kjo shëmti vazhdonte me inkurajimn e dhunës nga Basha i cili shprehej se pas dajakut, do çojë edhe një ligj kundër komunistëve në Kuvend. Një histori kjo aq e vjetër e stërdëgjuar, sa të bën të mendosh se një lider duhet të ketë një hall të madh që merret me gjëra kaq të konsumuara.

Është e qartë se kjo nuk ishte një ngjarje e atypëratyshme, por një skenar i parapërgatirur nga selia blu. Mjafton të shohësh reagimin e Berishës, Bashës dhe intepretimin e ngjarjes nga mediat e financuar nga PD, për të kuptuar se tanimë opozita e ka kauzën e radhës, atë të anti-komunizmit. Ndodh sa herë i bien të gjitha kauzat që PD të kapet te prejardhja e PS-së dhe historia.  Në fakt po t’i hysh analizës së individëve, PD ka patur historikisht më shumë komunistë brenda saj duke filluar nga lideri i saj historik, por në këtë moment krize ku ndodhet si nga ana e organizimit të brendshëm dhe nga mungesa e kauzave e ideve, është e justifikuar.

Është për të të ardhur keq se si një aset kombëtar si PD, tek e cila në fillimet e saj ngjalli shpresë si partia që do ta çonte Shqipërinë drejt Europës, sot duket si një njeri i moshuar në shtratin e lengimit që flet përçart. Por, në këtë gjendje këtë parti e kanë çuar ata që e drejtojnë dhe ata që këshillojnë drejtuesit. Dhe ka disa arsye pse PD-ja është katandisur në pikën që rreh ca të moshuar për të thënë se po lufton komunistët, e këto arsye lidhen me strategjinë  ndaj qeverisë dhe Shqipërisë që sot me aktin e dhunës u vërtetua se kanë marrë fund.

Them këtë sepse, duhet të jesh shumë naiv ose dashakeq që të sulmosh policinë edhe kur bën aksione të suksesshme. PD-ja e ka bërë këtë gafë  duke bërë kështu një hap të gabuar taktik në komunikim.  Akoma më e gabuar është të sulmosh Saimir Tahirin i cili pati kurajon të bëjë atë që PD-së as nuk i shkon në mendje. PD-ja vazhdon ta sulmojë sepse nuk e kishte parashikuar se dikush mund të bënte një akt që është jashtë filozofizë së tyre politike. Akti i Tahirit e gjeti PD-në të papërgatitur dhe e ka çakorduar jashtë çdo parashikimi. Nga ana tjetër lufta e saj me artikuj kundër Shqipërisë në mediat e huaja dhe trumbetimi i tyre në Shqipëri si zëri i së vërtetës  dhe sulmet e Bashës në Bruksel gjithashtu morën fund me dhënien e rekomandimit pozitiv pa kushte nga KE ndaj Shqipërisë. Edhe pse pas kësaj Basha vuri në punë mekanizmin Krichbaun kundër Shqipërisë, sërish mbetet në minorancë në Bundestag.

Të gjitha këto përpjekje, dështime e gabime kanë bërë që loja e shahut të mbyllet me Bashën humbës dhe Shqipërinë fituese. Tani, ajo që ka mbetur është të shfryhet nga dështimi duke rrahur ca të moshuar që mbajnë parrullën e Enverit në krahë, a thua se ja ka fajin Enveri Lulit që s’ka fituar kurrë asnjë betejë (luftë jo e jo). /Lexo.al