Këngëtari i njohur Ermal Meta i cili do të performojë për publikun kryeqytetas sonte në mbrëmje në sheshin ”Skënderbej”, ka zhvilluar një takim me të rinjtë ku të pranishëm ishin edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo.

Ambasadori italian Cutillo gjatë takimit u shpreh se ”ishte një ide e bukur dhe një gjest bujar nga ana e Ermalit që pranoi direkt ftesën për të festuar së bashku këtu në Tiranë 2 qershorin festën e Pavarësisë së Italisë, por mbi të gjitha festën e miqësisë italo-shqiptare. Dhe asnjë më mirë se Ermali nuk mund ta prezantonte më mirë këtë miqësi kaq të bukur dhe të lumtur midis popujve tanë”.

Ermal Meta gjatë takimit rrëfeu historinë personale para të rinjve dhe fansave të tij këtu në Tiranë. Mes të tjerash, ai tha se ishte shumë i lumtur dhe i emocionuar që ndodhej në Tiranë. “E nisa rrugëtimin tim para 24 vjetësh kur u largova nga Shqipëria duke e kaluar detin jo mbi traget por mbi nota muzikore, pasi muzikën e kisha gjithmonë brenda vetes.Kur shkova kisha vetëm një dëshirë të bëja një gjë dhe të saktë dhe jo shumë gjëra”, tha ai.

Meta tregoi para të rinjve si e kishte nisur muzikën.”E nisa muzikën para shumë vjetësh. Por, nuk ishte e thjeshtë pasi asnjë nuk lind i famshëm, pasi dhe unë si gjithë shqiptarët në Itali mundohesha të mbijetoja, duke bërë punë të ndryshme: kam shitur gazeta në moshën 14 vjeç e më pas kam punuar kudo, kam punuar pjatalarës e deri kamarier. Por duart ishin në punë, por mendja ime ishte gjithmonë atje tek muzika, pra çfarëdo lloj eksperience që bëja gjithmonë, kthehesha tek muzika”, u shpreh këngëtari Meta.

”Çdo njeri që unë takoja për mua ishte një histori, pasi çdo njëri nga ne ka historinë e vet dhe mund t’ia lexosh pak në sy, por nuk arrin ta kuptosh dhe unë kur nuk e kuptoja e shpikja e pastaj e hidhja në letër dhe kështu nisa të shkruaja këngë pasi e ndjeja urgjencën e kreativitetit”, shtoi ai.

Ermali u shpreh se ”në fillim luaja në piano, kitarën e mësova pas një incidenti të vogël me këmbën dhe i thashë një mikut tim të sillte kitarën ta mësoja aty. Fillova të shkruaja këngë që kishin kuptim, pasi këngët e para i kuptoja vetëm unë e më pas të tjerët”.

Më pas Ermali iu përgjigj pyetjeve kureshtare të të rinjve. Kur u pyet për këngën që fitoi Sanremon, ai vuri në dukje: ”nuk mund ta ndalojmë luftën por të paktën të japim shpresë”.

Ai gjithashtu u pyet për Eurovizionin. ”Eugent Bushpepa ishte më i miri nga ne shqiptarët e tjerë në konkurrim ”, tha Meta duke bërë krahasimin nisur nga një pyetje. Ai falenderoi për pikët e dhëna nga Shqipëria për Italinë dhe gjithashtu shprehu keqardhjen pse Italia nuk bëri të njëjtën gjë për Shqipërinë.

Ai gjithashtu para të rinjve tha se ”duhet të kesh talent por mbi të gjitha vullnet”, një mesazh motivues ky për të rinjtë e Shqipërisë.

Dy të rinj emocionuan me pyetjet e tyre Ermalin. A është ai krenar që është shqiptar?”. “Nëse do të rilindja, përsëri do të lindja në Shqipëri”, konfirmoi këngëtari dashurinë e tij për atdheun.

Ndërsa pyetjes nëse do të kompozonte një këngë për Shqipërinë çfarë titulli do t’i vendoste, këngëtari i njohur u përgjigj “Dolce terra mia”(E ëmbla toka ime”).

Për të rinjtë e pranishëm në sallë Ermal Meta interpretoi në piano këngën e tij “Piccola anima”.