Pas pak ditësh Bashkimi Europian pritet të marrë vendimin e rëndësishëm nëse do të hapë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë apo do t’i bllokojë ato.

Eurodeputeti Knut Fleckenstein, i ka bërë thirrje shteteve anëtare që të hapin negociatat me Tiranën zyrtare.

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, thotë se kushtet për hapjen e bisedimeve janë plotësuar tashmë.

“Në Shqipëri ka patur progres të qartë dhe çështjet sa i takon sundimit të ligjit po shkojnë në drejtimin e duhur dhe ndoshta edhe më mirë se në disa vende brenda Bashkimit Europian. Prandaj, ne duhet të hapim bisedimet e anëtarësimit me këtë vend”, apeloi ai në Parlamentin Europian.

Sa i përket Kosovës ai thotë se “Të mos harrojmë që kriteret për liberalizimin e vizave janë plotësuar tashmë”.

Ndërkohë, eurodeputeti gjerman kërkoi gjithashtu hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe avancimin e tyre në kapitujt e tjerë për rastin e Serbisë apo edhe Malit të Zi duke nënvizuar se “Duhet të dërgojmë në Ballkanin Perëndimor një sinjal të qartë se cila është qasja jonë për këtë rajon”./PANORAMA/j.j