Monika Stafa/ 

Presidenti amerikan Barak Obama ishte ndër të parët liderë botërorë, i cili shqiptoi me vetëdije të plotë shqetësimet që po tronditnin botën prej përhapjes së lajmit të rremë në “Facebook” dhe platforma të tjera mediatike, duke theksuar madje se kjo dukuri kish nxitur keqas edhe minimin e procesit politik në SHBA. Nëse nuk jemi seriozë mbi faktet dhe çfarë është e vërtetë apo jo, nëse nuk arrijmë të bëjmë dallime mes argumenteve serioze dhe propagandës, atëherë këtu ka një problem, pat thënë ai në një konference shtypi në Gjermani. Ishte nëntor i vitit 2016.

Që nga zgjedhja e papritur e Donald Trump si president i zgjedhur, “Facebook” është ndeshur me akuza të shumta lidhur me dështimin e tij në frenimin e rrjedhjes së keqinformimit publik. Ndër të tjera, edhe se modeli i tij i biznesit çon përdoruesit në ndarjen e dhomave të polarizuara politikisht. Që prej asaj kohe e deri tani, vala në rritje e raportimeve dhe e të dhënave mbi përhapjen e lajmit të rremë në media, keqinformimit, propagandës apo dhe alfabetizmit të lajmit vazhdon të jetë e pandalshme. Po cilët janë ato grupe njerëzish që janë të prirur të kenë tendencë për t’i besuar lajmit të rremë? Sa prej tyre i besojnë keqinformimit dhe cilët janë këto grupe? Cilës shtresë shoqërore i takojnë më së shumti? Dhe në çfarë pike duhet t’ia nisim edukimit medial dhe informimit në tërësi në shoqërinë tonë moderne?

Individët që paraqesin luhatje humori të shpeshtë dhe standarde të dyfishta komunikimi, apo edhe ata që kanë bindje radikale në besim fetar dhe politikë, janë ata individë të cilët kanë më shumë gjasa t’i besojnë lajmit të rremë. Këto grupe njerëzish kanë edhe një nivel intelekti më poshtë se mesatarja normale. Ky është rezultati që vjen pas një studimi më të fundit paraqitur në një konferencë shkencore ndërkombëtare në Universitetin e Yale-it, me disa ekspertë nga e gjithë bota. Besimi tek lajmi i rremë, u shprehën ata, shoqërohet pashmangshmërisht me nxitjen e madhe të projektimit të mashtrimit, të cilët këta individë u besojnë me syrin e parë.

Dy anketime cilësore ku u përfshinë rreth 1,000 pjesëmarrës sugjeronin se individët që mbështesin ide lidhur mashtrimin/paranojën, apo individët dogmatikë e me bindje fondamentaliste/radikale, kanë më shumë gjasa t’i besojnë lajmit të rremë.

Por përfundimet e anketave ndër të tjera flisnin për dy forma me të cilat mund të mbrohesh prej lajmit të rremë: së pari, të menduarit aktiv dhe hapur, që përfshin ndër të tjera edhe kërkimin e argumenteve alternative dhe rishikimin e provave për të arritur në përfundime. Së dyti, të menduarit analitik, i cili përfshin procese të menduari të qëllimshëm e që shkojnë deri tek rrënjët e kujtesës.

Reduktimi i të menduarit si proces, mbi këto forma logjikimi sjell pashmangshmërisht besimin në rritje te lajmi i rremë tek ata individë, të cilët mbështesin mashtrimin si ide dhe që qartazi ndihen të indoktrinuar prej dogmës/bindjeve fetare fondamentaliste apo që dallohen si radikalë. Por si mund të parandalohet rënia pre e këtyre njerëzve ndaj lajmit të rremë? Rezultatet e këtij anketimi nënkuptojnë se ndërhyrjet e projektuara për të nxitur mendimin aktiv dhe analitik mund të përdoren për të ndihmuar në parandalimin e efekteve dëmtuese të besimit në lajmin e rremë.

Gjatë këtij procesi studimor, hulumtuesit përdorën lojën e shahut me emrin Mechanical Turk, prej të cilit u krijuan dy grupe individësh prej 500 personash. Mechanical Turk është një makinë e rreme shahu, që u ndërtua në fund të shekullit të 18-të. Turku ishte në fakt një iluzion mekanik që lejonte një mjeshtër shahu të fshihej brenda për të operuar në makinë. Napoleon Bonaparti dhe Benjamin Franklin ishin burrat e shtetit që e frekuentonin më shumë. Pra, ashtu si në këtë lojë, hulumtuesve iu kërkua të vlerësonin saktësinë e 12 titujve të lajmeve të rreme, si dhe një sërë titujsh të tjerë të lajmeve të vërteta, duke u testuar mbi disa shkallë besueshmërie. Një prej pyetjeve madje ishte “A ndiheni ndonjëherë sikur ka një komplot kundër teje?”. Dhe ata morën provën e reflektimit njohës. Pjesëmarrësit në grupin e dytë të individëve u lindi nevoja gjithashtu të merrnin edhe dy teste shtesë, sepse kjo do të thoshte se procesi i hetimit të këtyre gjetjeve, të pa nevojshme të vijonte me këtë procedurë. E gjitha kjo në vetvete rezultoi se njerëzit që “mbështesin idenë e mashtrimit” kanë më shumë gjasa të besojnë lajmin e rremë, psh., siç janë dhe “individët dogmatikë apo dhe fondamentalistët/radikalë, të cilët u besojnë bindjeve të fetare/politike”. “Dobësia që këta individë tregojnë duke i besuar lajmit të rremë shpjegohet plotësisht prej tendencës së tyre për t’u angazhuar më pak në të menduarit analitik dhe më hapur”, – citojnë rezultatin, autorët e studimit. Ky raport, i cili vjen në formë sugjerimi e vë theksin te ndërhyrjet e mundshme që mund t’i mbrojnë individët të bien pre e lajmit të rremë, duke shtruar kështu bazat për hulumtime të reja në këtë çështje në të ardhmen. Ky studim i fundit i Yale University mund të mërzisë shumë njerëz, por ajo çfarë ata duhet patjetër të mos heqin prej mendjeje para se të shkohet në përfundime të tilla emocionale, nuk janë inatet dhe mëritë që shkaktojnë këto perceptime por;

(i) lidhja reciproke vs shkak – Ky studim nuk po përpiqet të pohojë se të qënit i zhgënjyer, dogmatik, apo dhe fondamentalist në bindje ju bën të besoni në lajmin e rremë. Ajo që duket qartë si drita e diellit, është se këto gjëra së bashku tentojnë të bashkëveprojnë. Përsa i përket asaj se çfarë kjo gjë shkakton, nuk ka asgjë përfundimtare shprehen ekspertët. Ajo që ne po bëjmë, vazhdojnë ata, është paraqitja e provave rrethanore që mbështesin një histori, ku të qenit më pak i hapur dhe më pak reflektues çon automatikisht tek ky kompozim situatash – mashtrimi nëpërmjet informimit, besueshmëria tek ky lloj informimi dhe grupi që u beson (dogmatik, fondamentalist/radikal) duke shpjeguar disa ose të gjitha arsyet pse ato janë kaq të lidhur me njëri-tjetrin.

(ii) Hapësira e raporteve reciproke nuk është krahasimisht e madhe. Pra, nuk ka një teori të fundme që thotë “Oh, ju keni lëvizur shumë në shkallën e mashtrimit, që dmth. ju u besoni të gjitha lajmeve të rreme”, ose “që ju jeni një fondamentalist/radikal, kështu që ju do t’u besoni të gjithë titujve të rremë”. Pra, çdo gjë është relative, e duke qenë e tillë thonë ekspertët, me pak punë dhe vullnet hija e shfaqur mes keqinformimit të vazhdueshëm dhe propagandës mikluese, davaritet ngadalë. Por sigurisht kjo do edhe pak mirësi, tregojnë ata, duke buzëqeshur e me të tilla gjeste, duket sikur kanë rikonfirmuar atë parimin universal sa bota ka njohur jetë, se lufta mes së mirës dhe së keqes vazhdon.

E meqë e nisëm me presidentin Obama, kujtojmë se ai e pat shprehur me shqetësim të plotë para gazetarëve në Berlin atë që do të vinte më pas. Ne jetojmë në një epokë me kaq shumë keqinformime aktive dhe të paketuara kaq mirë, cilësonte ai në nëntor të 2016, sa është e pamundur të dallosh kur lexon të tilla histori, nëse je duke ndjekur “Facebook” apo TV. Dhe nëse çdo gjë do vazhdojë të duket sikur është e njëjta pa bërë të mundur të bëhen dallime, atëherë vërtet nuk do të dimë se çfarë duhet të mbrojmë. Dhe më keq akoma, nuk do të dimë për çfarë të luftojmë duke humbur aq shumë nga ajo çfarë kemi fituar në fushën e demokracisë dhe lirive të saj, ekonomive të mbështetura në tregun e lirë apo dhe prosperitetin që kemi marrë dhe dhënë, pat thënë ai.