Deputetja demokrate Grida Duma foli gjatë ditës së sotme nga selia blu, për atë që ajo e quajti një përkeqësim të ekonomisë shqiptare, duke iu referuar raportit të Eurobarometrit për vitin 2018.

Bëhet fjalë për sondazhin e Komisionit Europian, të kryer në pranverën e vitit 2018 për situatën ekonomike të vendeve të BE-së dhe të vendeve kandidate si Shqipëria. Sondazh që në këtë ditë të nxehtë Gushti, për lehtësi të komunikimit, deputetja Duma nuk ka hezituar t’ja transformojë gjetjet e rezultatet sipas dëshirës dhe të gënjejë publikun me shifra që nuk i përkasin Eurobarometrit.

Pika e parë. Zonja Duma përmend tre shqetësimet më të mëdha që shqiptarët kanë shprehur për Eurobarometrin: ekonomia, papunësia dhe korrupsioni.

Përkundër kësaj, siç duket në foton e parë, tre sfidat aktuale që shqiptarët medojnë se vendi i tyre po përballon janë ekonomia, papunësia dhe çështje të sistemit shëndetësor. Pra fjala korrupsion nuk përmendet gjëkundi në këtë raport, e as është adresuar si shqetësim madhor në përgjigjet e shqiptarëve të anketuar.

Së dyti, deputetja thotë se 1 milion e 750 mijë shqiptarë faktojnë për Eurobarometrin se gjendja e tyre ekonomike është e keqe. Në fakt, rezultatet e barometrit bazohen te metodologjia e intervistimit ballë për ballë të personave, me një numër prej 1048 intervistash.

Për të qëndruar të papunësia që sipas Dumës, është problemi kryesor i 67 % të shqiptarëve.

Nëse sheh foton numër 3 të shkëputur nga raporti, e vërteta është se 34 % e të anketuarve e shohin papunësinë si problem kryesor.

Siç mund të kuptohet kemi të bëjmë me disa gënjeshtra në ditën për diell të zonjës Duma, duke keqpërdorur në mënyrë flagrante punën e institucioneve të rëndësishme si Komisioni Europian.

Jo më pak i rëndësishëm është fakti që zonja Duma as nuk i ka shkuar deri në fund raportit, ku përmes përgjigjeve të shqiptarëve të anketuar vlerësohet se:

Situata ekonomike dhe punësimi si sfida të shoqërisë shqiptare do të përmirësohen në vazhdim.

Të pyetur se cilat janë pritshmëritë e tyre për 12 muajt e ardhshëm lidhur me punësimin dhe ekonominë, shqiptarët janë përgjigjur:

-Në shumicë, 50% mendojnë se situata me punësimin do të bëhet më mirë, 29 % mendojnë se do të jetë njësoj, 20 % besojnë se do të bëhet më keq.

Sa i përket situatës ekonomike në vend, 52% mendojnë se do të bëhet më mirë, 32% mendojnë se do të jetë njësoj, 16 % më keq.

Këto dy çështje përmenden në raport si çështjet më të rëndësishme me të cilat po përballet vendi, por me nota vlerësimi, pasi shumica e shqiptarëve shprehen pozitivisht për situatën e tyre financiare në familje.

Konkretisht, 62% e tyre e përshkruajnë si plotësisht të mirë situatën e tyre financiare kundrejt 38 % (totalisht e keqe). Po ashtu 57% e shqiptarëve shprehen se situata e tyre e punësimit është totalisht e mirë.