Falenderimi i munguar i PD për qeverinë

0

Në mënyrë metaforike, deklarata e 7 janarit e PD për zhvillimet në Maqedoni është njësoj si të falenderosh birin për veprat e babait.

Pasi partitë shqiptare në Maqedoni vendosën që të qëndrojnë për herë të parë në më shumë se 20 vjet të bashkuara pas zgjedhjeve të mbajtura më parë gjatë dhjetorit, PD publikoi dy ditë më parë një deklaratë në të cilën përshëndeste këtë zhvillim si një “lajm të mirë dhe inkurajues për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë vend”.

Ajo që PD qëllimisht fsheh nga kjo deklaratë, është roli personal i Kryeministrit Rama, i cili u angazhua në një ushtrim diplomatik, duke ftuar dy herë secilin prej liderave në Tiranë, për të arritur në një kompromis që BDI, PDSH dhe Besa nuk e kishin arritur kurrë më parë midis tyre.

Taktikisht, duke falenderuar direkt partitë maqedonase, e duke mosnjohur rolin e qeverisë në këtë kompromis, PD largon vëmendjen dhe nga dështimi i vazhdueshëm i politikës së jashtme të Shqipërisë në periudhat kur ajo ka drejtuar vendin.

Ndërsa është për t’u përshëndetur bashkimi i shqiptarëve në Maqedoni, nuk mund të fshihet fakti se gjatë viteve 2005-2013 nuk u bë asnjë përpjekje për të mbështetur këtë unitet, madje qeveria e PD u bë palë me ata që kërkonin të përçanin shqiptarët, duke përsëritur retorikën e “fqinjësisë së mirë” dhe “mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti tjetër”, sa herë që marrëveshja e Ohrit shkelej me të dyja këmbët.

Ndaj sot, kemi jo një, por dy arsye për të festuar. E para, që më në fund, shqiptarët e Maqedonisë, pavarësisht se kush i bëri bashkë, tashmë kanë vendosur të përfaqësojnë elektoratin dhe të drejtat e shqiptarëve të bashkuar.

E dyta, që pavarësisht peshës relativisht të vogël të Shqipërisë në zhvillimet ndërkombëtare, tashmë Shqipëria nuk mund të konsiderohet më një “Republikë Bananesh”. Të paktën, jo më kur preken drejtpërsëdrejti interesat e shqiptarëve, pavarësisht se ku ata jetojnë. /Lexo.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU