Nga Anri Bala

Sot, më 4 Korrik, është festa Kombëtare e SHBA-së, dita e Pavarësisë, plot 242 vjet më parë të vitit 1776. Sot, amerikanët festojnë, sepse kanë ngritur një nga shtetet më demokratike të rruzullit dhe me një zhvillim të jashtëzakonshëm, pasi larguan kolonizatorët anglez.

Ne nuk na mbetet gjë tjetër, përveçse t’i urojmë duke ëndërruar, që ndonjë ditë do kemi edhe ne klasë udhëheqësish si Thomas Jeffersonit, autorit kryesor të Deklaratës së Pavarësisë dhe John Adamsi, mbështetësit të zjarrtë të pavarësisë, të cilët vdiqën po me 4 Korrik, pak orë nga njëri tjetrit, e populli amerikan mendonte, se Zoti i unifikoi ndarjen nga jeta, me datën e pavarësisë, në 50 vjetorin e saj.

Jeffersoni vdiq në shtëpinë e tij në Montiçello, të shtetit Virxhinia, kurse Adamsi në Quincy, të shtetit Massachusetts. 82 vjeçari Jefferson ishte i sëmurë rëndë dhe luftoi me vdekjen deri pas mesnatës së 4 korrikut. Ndërsa 90 vjeçari Adams, i cili nuk ishte në dijeni të vdekjes së mikut të tij, thuhet se shqiptoi këto fjalë të fundit: “Jeffersoni është ende gjallë!”, duke menduar se kishte lënë mikun pas.

Jeffersoni dhe Adamsi, nuk ishin gjithmonë dakord për çështjet e ndryshme politike, por ishin bashkë në politika për atëdheun dhe kombin amerikan!

Këto i shkarravita për të thënë, se këto quhen politikan dhe udhëheqës dhe jo një tufë çapaçulash karrigesh, që kthejnë prapanicën para çdo gomari, mjafton tu duket sikur edhe ai është miku i tyre, sepse pëllet për momentin… bash si ato!

Të paditurit deri në infinit, nuk e dinë, se gomari nuk është me askënd, sepse është gomar, e që rrëzon edhe të zotin… nga që nuk e njeh.

Kjo vlen për kërriçin tonë të opozitës, që u bënë lajka të gjithë gomerëve, që i duken si pjesë e vëllazërisë së tij, sepse kanë goditur me shkelma të zotin dhe vetë.. .Zotin!

E pabesueshme, por po ndjehem mirë sot, duke menduar, se gomerët e kërriçët e këtij vendi, po i merr Zoti “në dorë”!

Dua t’i lidh gjërat ashtu siç dua unë, sepse është e drejta ime dhe nuk më ndalon askush!

Ndaj u kërkoj dhe atyre që mendojnë si unë, shprestarë e durimtarë, se pikërisht sot, më 4 korrik, ditën e madhe të Kombit Amerikan, u konfirmua shpresa, se drejtësia do eci përpara dhe nuk ka kthim mbrapa, me konfirmimin e prokurores Arta Marku dhe goditja, që i dha Zoti me tërmet, si paralajmërim “lalëve” të Lalzit të Babolëve, që erdhën si gomer e na u bënë “diller”, për të ndërtuar saraje, vila dhe pallate, me poshtërsitë, që dallojnë kafshët nga njerëzit!

A besoni, se Zoti u zgjua me 4 korrik, apo ashtu duam ne të mendojmë, sepse kemi kohë që presim?!

Edhe nëse nuk është kështu, unë dua të besoj, se Zoti “foli” sot, për t’i paralajmëruar ato, gomerët delirantë, që pëllasin edhe natën, pa e kuptuar, se pëllitja e tyre nuk është lutje, por fyerje për njerëzit dhe perëndinë!

Ndaj lutem, që 4 Korriku të jetë një ditë e ogurit të mirë për shqiptarët dhe Shqipërinë, si nisja, për tu detyruar gomerët të bëjnë punën e tyre… të pëllasin e hanë gjemba, kur kurrizin ua ka bërë gjak barra e rëndë që mbajnë në kurriz… politikanin!/EKSKLUZIVE.AL/j.j