Investimet kanë transformuar sektorin e shëndetësisë dhe kanë përmirësuar shërbimet.

Në një takim me të rinj të punësuar rishtazi nga zyrat e Punës në Fier, kryeministri Edi Rama u ndal te investimet në sektorin e Shëndetësisë.

“Ka akoma shumë punë, por ne kemi identifikuar 300 qendra shëndetësore që kërkojnë rindërtim me themel. 80 qendra rindërtohen këtë vit”, tha Rama, duke premtuar se i gjithë sistemi i qendrave shëndetësore brenda këtij mandati do të jetë komplet tjetër nga pikëpamja e kushteve dhe elementeve bazikë.

Kryeministri theksoi se përmirësimet në sistemin shëndetësor janë shumë të mëdha edhe pse pranoi se “ka disa njerëz që në fakt nuk shkojnë të marrin shërbime në spital dhe kanë një perceptim të gabuar”.

Lidhur me reformat në Shëndetësi, Rama theksoi se “shëndetësia falas është realitet, pasi nëse më parë personat e pasiguruar duhet të paguanin 10 mijë lekë për një vizitë, tani ata e marrin shërbimin parësor falas”.

“600 mijë njerëz të pasiguruar paguanin për çdo ilaç, ndërsa sot rimbursohen njëlloj si të tjerët. Kjo bashkë me heqjen e TVSH-së nga ilaçet kursen mbi 21 milionë dollarë në vit që i paguanin njerëzit nga xhepi dhe sot i paguan shteti. Rimbursimi tërësor shkon në mbi 100 milionë dollarë”, tha Rama.

Po ashtu, Rama theksoi se “ka një projekt konkret për laboratorët, pasi edhe pse gama e analizave është zgjeruar, mund të zgjerohet akoma dhe më shumë”.

Sa i takon kualifikimeve profesionale, kryeministri theksoi se “dje ka nisur një shkollë për drejtorët e spitaleve, një shkollë specifike me kurikul dhe sesione të ndara, ku drejtuesit e spitaleve do të bëjnë kualifikime”.

E njëjta gjë, sipas tij, vlen edhe për shefat e pavioneve dhe do të shtrihet në të gjithë sistemin.