Masat për sezonin turistik, qendra shëndetësore verore 24/7 për pushuesit

Durrës, 6 Korrik – “Zero tolerancë për subjektet që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare dhe kërcënojnë shëndetin e qytetarëve”. Nga Durrësi, ku inspektoi qendrat shëndetësore verore dhe masat e marra për një sezon turistik të sigurtë, Ministrja Manastirliu paralajmëroi një aksion intensiv në bare, restorante, pishina, subjekte të prodhimit apo përpunimit të produkteve ushqimore për plotësimin e kushteve higjieno-sanitare.
“Ndër masat e shëndetësisë për një sezon turistik të sigurtë është kontrolli i vazhdueshëm higjieno-sanitar i subjekteve në zonat turistike, proces që e kemi filluar që prej muajit Prill por po intensifikohet gjatë sezonit dhe jemi të vendosur për të marrë të gjitha masat për të ndëshkuar çdo subjekt që kërcënon shëndetin e qytetarëve, me gjoba deri në mbyllje të aktivitetit”, u shpreh Manastirliu gjatë inspektimit të kontrolleve që po kryhen në terren nga inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor.
Në kuadër të masave për sezonin turistik, Manastirliu pa nga afër qendrën shëndetësore verore “Currilat”, e cila ofron shërbim 24/7 gjatë sezonit turistik.
“Vetëm gjatë muajit qershor 5379 qytetarë morën shërbime në qendrat verore përgjatë gjithë bregut por edhe në zonat malore ku janë hapur qendra të posaçme për sezonin turistik”, tha Ministrja e Shëndetësisë.
Manastirliu ndoqi gjithashtu edhe procesin e dezinsektimit në Durrës dhe garantoi se ky proces do të vijojë deri në muajin Shtator.
Përgjatë vijës bregdetare të Durrësit janë hapur 6 qendra verore: Në Gjirin e Lalzit, Plazhi i vjetër, Currila, Shkëmbi Kavajës, Golem, Mali Robit. Spitali i Durrësit gjithashtu do të jetë në gadishmëri me personal të përforcuar për sezonin turistik bashkë me autoambulancat për çdo rast emergjent.
26 qendra shëndetësore verore të hapura nga veriu në jug të vendit janë të pajisura me të gjitha barnat e urgjencës, personel të kualifikuar dhe trajnuar, qendra me infrastrukturë të përmirësuar, me sinjalistikë lehtësisht të dallueshme, duke korigjuar ato probleme që kemi hasur në vitet e mëparëshme.
Po ashtu janë vendosur 17 autoambulanca të pajisura me të gjithë mjetet jetëshpëtuese – pajisje të reja, bashkëkohore që ka cdo autoambulancë e vendosur në zonat më të frekuentuara turistike – për të garnatuar ndihmën e parë në kohë.
Sa I takon inspektimeve për kushtet higjieno-sanitare, vetëm gjatë muajve Prill-Maj, në kuadër të masave paraprake për mbarëvajtjen e sezonit turistik, nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor janë kryer kontrolluar 2321 subjekte, ku janë lënë masa për përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare. Ndërsa gjatë muajit të fundit janë inspektuar rreth 711 subjekte, kryesisht pishina, bare dhe restorante. Masat e parashikuara për subjektet që nuk plotësojnë kushtet janë mbyllje provizore ose gjobë që shkon deri në 500 mijë lekë të reja.j.j