Armand Duka, Lutfi Nuri dhe Ilir Shulku ishin përfaqësuesit e FSHF-së në Kongresin e FIFA-së që u zhvillua në Moskë gjatë ditës së djeshme.

Por sa kanë përfituar drejtuesit e lartë të FSHF-së për këtë udhëtim të tyrin drejt Rusisë, ku do të jenë të pranishëm edhe në ndeshjen e hapjes së Botërorit?

Sipas një shkrese që Sekretarja e Përgjithshme e FIFA-s, Fatma Samoura, ka dërguar në Federata, shpjegohet se për pjesëmarrjen e tyre, përveç udhëtimeve që sigurohen nga organizatorët apo akomodimit, përfaqësuesit e federatave do të përfitonin edhe shpërblime financiare, të ashtuqujturat dieta. Dhe kur përmendet FIFA, nuk bëhet asnjëherë fjalë për shuma të vogla.

Në varësi të Federatave të ndryshme dhe të rolit brenda institucionit, delegatët përfitojnë nga 250 deri në 1000 dollarë në ditë, gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tyre në vendin ku organizohet Kongresi dhe në periudhën kur u kërkohet të jenë të pranishëm në aktivitete apo mbledhje të ndryshme të FIFA-s.

Kësisoj, Duka, Nuri dhe Shulku përfitojnë minimalisht katër ditë dieta për qëndrimin e tyre, jo keq si pushime të paguara në Moskë apo jo? Sidomos kur voton për projektin humbës si në rastin e Marokut… /vipsport.al